BFI e udhëhequr nga Sulejman Rexhepi, i hyn biznesit me banesa?! / VIDEO

Ky banor i Lagjes Seravë, po tregon se si kjo tokë do të urbanizohet para shtëpisë së tij. Në këtë parcelë të mbushur me materiale inerte dhe mbeturina, pritet të ndërtohen ndërtesa, parkingje dhe park për banorët e kësaj lagje të Komunës së Çairit. Ky projekt është i përfshirë edhe në ofertën e kryetarit të posazgjedhur Visar Ganiu, i cili gjatë fushatës parazgjedhore u zotua para banorëve të zonës se së shpejti do të fillojnë punimet.

“Shpresojmë që sa më shpejt të fillojnë ndërtimet e objekteve, siç është paraparë në plan tek Visar Ganiu, le të fillojnë sa ma shpejt. Deri në vitin 2013 këtu ka qenë objekti i Higjienës komunale, e cila pastaj është dislokuar prej këtu. Me sa e di unë kjo tokë ka qenë e Bashkësisë fetare islame, por nuk e di çfarë ka ndodhur më tej”, tha një banor i lagjes Serava.

Nga Komuna e Çairit thonë se kjo parcelë është në pronësi të Bashkësisë fetare islame, e cila, sipas sekretarit të Komunës Rami Qerimi, BFI ka kërkuar të bëhet plani detal urbanistik për atë tokë. Qerimi thotë se Kontributi i komunës përveç përgatitjes së dokumentacionit për urbanizimin e asaj zone, do të ofrojë edhe shërbimet infrastrukturore, përkatësisht, ujësjellësin, kanalizimin dhe asfaltimin.

“Aty siç e keni parë edhe në premtimet që i ka dhënë edhe kryetari i ri i komunës, Visar Ganiu, do të filloj urbanizimi i Çairit në pjesën e Seravës. Aty do të ndërtohen 4 objekte do të thotë ndërtesa, mirëpo me të gjitha kushtet të një zone urbane: me rrjetin infrastrukturor nëntokësor, me gjelbërim, me parkingje dhe me garazhe”, u shpreh Rami Qerimi, sekretar i komunës së Çairit.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Kadastrës dhe pasurive të patundshme, bëhet fjalë për parcelë prej 18.827 m2. Nga BFI thonë se kjo tokë do të urbanizohet dhe përveç hapësirave për shërbimet e BFI-së pjesa tjetër do të shfrytëzohet për banesa dhe lokale afariste. Aktorët janë në fazën e bisedimeve me investitorë privat për të zbatuar këtë projekt.