OPINION: Të jeshë hoxhë sot




Komunizmi mbahet mend në histori si sistem ideologjik që tallej me fetë, i llogariste ato si opium i rëndë. Megjithatë, përkujdesej për formimin e njeriut të ri, në këtë drejtim, edhe për teologun e ri, me peshë, me autoritet dhe me ndikim në shoqëri! Periudha e Sulejman Rexhepit do të mbahet mend si më e egra për myslimanët e Maqedonisë, sepse në këtë periudhë do të kërkohet dhe do të “madhërohet” vetëm ai teolog që i përulet këtij farë “Lideri”! Nëse nuk i përulesh, fluturon me polici nga xhamia! A e meritojnë këtë hoxhallarët e sotshëm?!

Shkruan: Eset Shaqiri

Në të kaluarën e hershme, shumë kohë para komunizmit, natyrisht pas periudhës osmane, të vetmit personalitete me ndikim të madh në shoqëri ishin hoxhallarët. Këta ishin drita dhe mendja e kombit, sepse këta ishin më të arsimuarit, më të edukuarit, më të autorizuarit për të vendosur në emër të popullit dhe më të merituarit për ta drejtuar popullin. Autoriteti i hoxhës ishte i jashtëzakonshëm.

Por, çfarë po ndodhë me hoxhallarët e sotshëm? A e kanë po atë peshë që e kishin dikur? A e kanë po atë respekt dhe autoritet të dikurshëm? Nga ana e popullatës pa dyshim që po! Populli, për hirë të traditës së lavdishme dhe përpjekjeve të mëdha të hoxhallarëve të hershëm, e kanë po atë respekt të madh ndaj institucionit hoxhë! Pra, ndaj INSTITUCIONIT HOXHË dhe jo edhe ndaj hoxhallarëve si personalitet më vete! Fatkeqësisht, sot, ka degraduar deri në trishtim profesioni hoxhë! Sot hoxha perceptohet si hajn, si tradhëtar, si gënjeshtar, si bashkëpunëtor i shërbimeve antikombëtare e antifetare, përceptohet si njeri i rrezikshëm, si njeri i prishur, si analfabet e konvencional! Dhe kush me këto epitete të trishtueshme – hoxha që profesionalisht e ndihmon masën që të ecin drejt urdhërave kuranore, hoxha që mund të jetë edhe hafëz, kurse hafëz nuk mund të jetë askush përveç njeriut i cili është përzgjedhur nga ana Allahut Fuqiplotë si rojtar i Kur’anit duke e pajisur me afinitete të super gjeniut! Edhe ky super gjeni, fatkeqësisht, në ditët e sotshme, llogaritet “njeri i rrezikshëm”, i cili duhet të dëbohet nga institucioni përkatës me polici e kriminelë! 


Sot hoxha i mirëfilltë, ai më i dashuri, më i ditshmi dhe më i gatshmi për t’u sakrifikuar për interesa kombëtare e fetare, llogaritet primitiv! Në këtë derexhe personaliteti i hoxhës ka degraduar falë kontributit djallëzor të njeriut të cilin “hoxhallarët” e zgjodhën për të parë – Sulejman Rexhepit! Asnjë periudhë në historinë shqiptare nuk do të mbahet mend si periudha e këtij Reisi në të cilën u zhvilluan sulme, debate, etiketime, degradime, devalvime, depersonalitet e deshenjtërim kaq të madh ndaj hoxhallarëve! Kurrë nuk ka pasur luftë kaq të hapur kundër hoxhallarëve se sa në kohën e Sulejman Rexhepit! Edhe okupatorët më barbarë përgjatë historisë shqiptare kanë pasur kujdes në sjelljet e tyre ndaj hoxhallarëve më shumë se sa Sulejman Rexhepi! Nuk mbahet mend që në ndonjë situatë të paqtë të intervenojë një pushtues me polici që ta nxjerrë hoxhën-imamin prej xhamisë! Sulejman Rexhepit, nëse nuk i shkoi ndorësh hala të vrasë ndonjë hoxhë si okupatorët e hershëm, të paktën i ka shkuar ndorësh që në shumë raste të intervenojë me polici, madje edhe të kërkojë ndihmën e policisë shtetërore për t’i nënshtruar hoxhallarët para këmbëve të tij. Kurrë, kurrë, kurrë, asnjë pushtues dhe asnjë antiislamist nuk do ta kishte këtë sukses në shuarjen e Myftinisë së Shkupit siç e pati Sulejman Rexhepi, alias Mulla Sula! 


Si pasojë e kësaj djallëzie të Sulejman Rexhepit, sot në territorin e kësaj Myftinie dhe më gjërë, kemi lloj-lloj fraksionesh që nuk janë asgjë tjetër përveçse përpjekje lëvizjesh të hoxhallarëve për ta ruajtur edhe atë pak autoritet dhe personalitet që ju ka mbetur e për ngulfatjen e të cilëve Mulla Sula është gjallë i interesuar.

Sot në territorin e kësaj Myftinie por edhe në mbarë territorin e Maqedonisë, më tepër ka hoxhallarë që i binden Institucionit Hoxhë se sa që ka prej tyre që i binden djallëzive të Mulla Sulës. Numri i tyre, elhamdulilah, është fare i vogël dhe i papërfillshëm. Me pseudohoxhallarë, me teologë me diploma falso e të blerë, me “hoxhallarë” të diskutueshëm e të rrejshëm, nuk mund të drejtohet jeta fetare islame, përveç që mund të sendërtohen interesat meskine e personale të Sulejman Rexhepit.

Megjithatë, hoxhallarët që janë oponencë e qëndrimeve nonshalante të Mulla Sulës, edhe pse janë shumë në numër, megjithatë nuk po ia arrijnë që të bëhen një zë dhe ta kundërshtojnë këtë të keqe! Sepse, secili hoxhë i mirëfilltë është i kërcënuar nga “Lider” i tyre! Në fakt, për hirë të mirëqenies dhe mostrazimit të shpirtërave të myslimanëve të vendit, dhe për hirë të traditës që thotë se hoxhallarët gjithnjë kanë qenë rojtarë të mirëqenies së shoqërisë ku kanë vepruar, ata sot presin shenja nga i Madhi Zot, që do ta gjunjëzojnë Mulla Sulën pa efekte anësore mbi popullatën e përgjithshme. Ndoshta edhe kjo zgjidhje është nga ana e Zotit të Madhërishëm! Vetëm Ai mund ta dijë! E mira e së mirës në këtë situatë është fakti që popullata tashmë është ndërgjegjësuar dhe, duke e kundërshtuar me të madhe Mulla Sulën dhe pinjollët e tij, gjithnjë e më shumë shprehin respekt ndaj Institucioneve fetare islame duke iu përgjigjur traditës dhe rregullave islame që të ndihmohet kjo fe, dhe jo bastarduesit e kësaj feje, siç është Sulejman Rexhepi me kompaninë e vet! 

/tetovanews.info/
/kohanews.com/
17.04.2017