Qeveria VMRO-BDI ra edhe për shkak të gjyqësorit të politizuar dhe të korruptuar skajshmërisht

“Sulejman Rexhepi, i vetëshpalluri reis i BFI-së në RM, do të ngelë shembulli më tipik që do të flasë për një periudhë kur gjyqësori në Maqedoni ishte skajshmërisht i politizuar dhe i korruptuar. Kjo ishte arsyeja se përse Mulla Sula, si dukuri kriminale, nuk procesohej asnjëherë nëpër zyret e gjykatësve. Populli thotë: kungulli askujt nuk i ka shkuar gjithmonë mbi ujë”

Shkruan: Abaz Islami


Se në çfarë derexhe e kemi sistemin e drejtësisë, institucionet e gjyqësorit si dhe prokurorinë e vendit, më së miri e përshkroi Prof. dr. Mitasin Beqiri, ekspert në sferën e kriminpologjisë si dhe penalogjisë, ndryshe edhe ish-drejtor i burgjeve në Maqedoni. Në një prononcim të vetin këto ditë ai nënvizon se nuk mund të ketë gjyqësor pa drejtësi, kurse drejtësia te ne karakterizohet nga një “gjyqësor të politizuar si dhe të korruptuar”! Obstrukcione dhe bishtërim të drejtësisë nga ana e gjyqësorit tonë ka pasur me bollëk dhe, kjo dukuri jo njëherë është kritikuar nga ana e ndërkombëtarëve. Pikërisht kjo sferë, si dhe sfera e mediave të kapura e të kontrolluara nga pushteti, kanë qenë elemente të mjaftushme që ndërkombëtarët të ngrisin alarmin e kuq, deri në prishje të të gjitha raporteve me ish-pushtetin e VMRO-BDI-së.

Njëri nga shumë shembujt, më i freskët dhe më i tmerrshëm është pikërisht raporti i këtij gjyqësori me reisin e vetëshpallur të BFI në RM, Sulejman Rexhepin! Nuk ka prokuror normal e i paanshëm i cili nuk ka shprehur bindje të plotë se, paditë e ngritura kundër Sulejman Rexhepit, epilogun e kanë me burgosjen e këtij farë personazhi. Pa dyshim, në të ardhmen do të mbetet edhe më tej si shembull i cili do të flasë për një periudhë të gjyqësorit tonë i cili, si pasojë e korrupsionit dhe të politizimit të skajshëm ka lejuar funksionim normal të një personi të denjë për përfundim të karrierës së vet nëpër burgjet e Maqedonisë.

Është shkruar kohëve të fundit edhe për qëndrimin e institucioneve gjegjëse shtetërore në raport me bashkësitë fetare në vend, të cilat tashmë i konceptojnë si bastione klasike të bashkëpunëtorëve policorë. Duke i ruajtur këto “bastione” kanë lejuar që aty të ndodhin gjërat nga më të tmerrshmet dhe nga më të rrezikshmet për shtetin dhe qytetarët e vendit.

Sido qoftë, tashmë këto organe të drejtësisë nuk kanë të drejtë të mbrohen se nuk ka pasur asnjë aktpadi qyterare të ngritur kundër ndonjë kleriku fetar në vend, sepse, kundër Sulejman Rexhepit, alias Mulla Sulës, ekzistojnë me dhjetra padi, por edhe me qindra dëshmi të pamohueshme dhe shumë konkrete të cilat do të duhej ta vënin në lëvizje prokurorinë e vendit. Por, çfarë ka ndodhur për këtë periudhë? Ka ndodhur pikërisht ajo çka ka konstatuar doktor profesor Beqiri, i cili nënvizon se nuk ka drejtësi pa gjyqësor të pavarur e të depolitizuar. Në adresë të Nismës për reforma në BFI deri më sot kanë ardhur me dhjetra dëshmi që flasin se gjyqësorët dhe prokurorët e emërtuar nga BDI-ja, për hirë të raporteve të ngushta të Ali Ahmetit me Mulla Sulën, nuk guxojnë asnjë lëndë të procesuohen. Një pjesë tjetër e prokurorëve dhe gjyqësorëve si zgjidhje e BDI-së, pra, skajshmërisht të politizuar, të korruptuar nga Mulla Sula, natyrisht me paratë e fitrit e të zeqatit, kanë refuzuar çdo procesim të lëndëve që prekin Mulla Sulën. Veç kësaj, në mes të BDI-së dhe VMRO-së paska pasur marrëveshje politike që Mulla Sula të mos preket nga ana e organeve të drejtësisë! Këtë tashmë e dëshmojnë jo vetëm pala paditëse e Nismës për reforma në BFI, por edhe pala mbrojtëse e Mulla Sulës, natyrisht nga ana e gjyqtarëve dhe prokurorëve “aktivista partiakë” të VMRO-së.

Në një të ardhme shumë të afërt, kur do të kryhet edhe këtu ndonjë “proces i Vetingut”, nuk ka kurrfarë dyshimi se Mulla Sula do të përballet me drejtësi të hekurt, e cila nuk do të lakohet as nga politika por as nga korrupsioni. Tashmë BDI-ja edhe sikur të donte që të nisë ndonjë drejtësi objektive kundër Mulla Sulës për shkak të tradhëtisë së miqësisë, do ta kishte të pamundur, sepse do të dilte që po e tradhëton vetëveten si Parti. Këto janë momentet kur Mulla Sula përfiton dhe, këtë përfitim e ka gëzuar me të gjitha partitë deri më sot! Ja pra, një arsye më shumë që nuk do të lejonte assesi që partitë politike apo pushtetet të kenë raporte meskine me bashkësitë fetare.



/Tetova1/

/02.08.2017/