Skandalizohet politika maqedonase pas një vizite të fshehtë të Ilir Metës në Maqedoni: Takoi ish kryespiunin dhe Mulla Sulën


Mediat dhe politikanët maqedonas kanë dhënë alarmin se Presidenti shqiptar Ilir Meta është duke bashkëpunuar me subjekte të caktuara për të rrëzuar qeverinë e Zoran Zaev. Mediat kanë raportuar se më 6 prill, pra të premten që lamë pas, Ilir Meta ka bërë një vizitë të fshehtë në Maqedoni.


Sipas tyre, ai është takuar në Kërçovë me kreun e BDI, Ali Ahmeti dhe më pas në Shkup me kryetarin e BFI-së, Sulejman Rexhepi, por dhe me ish-kreun e Shërbimit Sekret maqedonas Sasho Mijallkovin, i cili është kushëri i Nikola Gruevskit dhe shërbeu gjatë qeverisë së tij.
Në faqen zyrtare të Presidencës dhe në të nuk ka asnjë njoftim të vizitës së Metës në Maqedoni, duke lënë të nënkuptohet se kjo ka qenë një vizitë jo zyrtare dhe që në Shkup ka ngjallur mjaft dyshime. Ajo që e konfirmon se Meta ka qenë në Maqedoni, është një foto e publikuar prej tij në Facebook në datën 7 prill, në Kodrën e Diellit në Tetovë.

Ndërkohë kandidati i LSDM-së për kryetar komune në zgjedhjet lokale, Hadi Osmani, ka komentuar informacionet për qëndrimin e presidentit shqiptar, Ilir Meta, në Maqedoni si dhe informacionet për takime sekrete që ai ka realizuar me këtë rast. Osmani ka deklaruar se Meta ka bërë negociata me VMRO-DPMNE për rrëzimin e qeverisë “Zaev”.

“Mickovski tha se të mërkurën prishet qeveria. Mos mbaj shpresa kot te Ilir Meta, por kshyr veten, përmirësoje nëse do me mbijetu në politikë. Kjo qeveri është zgjedhur nga qytetarët dhe nuk mund ta prishin marrëveshjet e natës”, ka shkruar Osmani. Ndaj kësaj vizite ka reaguar edhe analisti i gazetës “Lajm”, Gafurr Adili.

Në një analizë të publikuar në gazetë me titullin “Çka po ‘gatuan’ z. Ilir Meta?!”, Adili thekson se Meta ka takuar jo vetëm z. Ali Ahmeti, por edhe ish shefin e Policisë Sekrete Sasho Mijallkovin dhe Mulla Sulën e BFIM-së. “Disa ‘gojëkëqinj’ thonë se, z. Meta erdhi që t’i ‘koordinojë’ pazaret e koalicionit DUI-VMRO për ta destabilizuar FYROM-in, si mënyra e vetme që mafia politike në trekëndëshin Tiranë-Prishtinë-Shkup të shpëtojë nga vetingu (në Tiranë), nga Gjykata Speciale (në Prishtinë) nga dhe Prokuroria Speciale (në Shkup); Ndërsa, disa ‘gojëkëqinj’ të tjerë thonë se, z. Meta kishte ardhë për të lobuar që në zgjedhjet e vitit të ardhshëm (2019) Ali Ahmeti të kandidojë për President të FYROM-it”, ka shkruar Adili në gazetën “Lajm”. Pas gazetës shqiptare në Maqedoni kanë qenë dhe shumë mediat të tjera maqedonase që kanë shkruar rreth vizitës së presidentit shqiptar, shkruan “Sot”.

12.04.2018