Mulla Sula në torishtë kumton dorëheqjen e vet


Mulla Sula, kur hetoi se po i pakësohet pasuria, po i zvogëlohet numri i dhenve në torishtë, duke i fshehur gjurmët e veta prej ujkut të çartur, nisi që fajtorin ta kërkojë në FSHI! Dhe e gjeti në krye të këtij Institucioni të shenjtë arsimor. E goditi “qenin me pedigre”! Hajni paska qenë dekani i Fakultetit, Fahredin ef. Ebibi i cili pranoi të shkojë kurban i “sinqeritetit dhe pastërtisë së Mulla Sulës”! Aferim i qoftë

Shkruan Festim Erebara



Po lexoj kohëve të fundit disa shkrime të cilat i rrahin herë telit të “pushtetit” të Mulla Sulës e herë telit të opozitës së Mulla Sulës. Gabim!!! Sepse – një është e vërtetë! Mulla Sula nuk ka pushtet, ai ka veten e vet dhe të gjithë “dhentë” e tij. Ai është shumë i pasur me “dhen” të cilët i sjellin mirëqenie sociale, ekonomike, “profesionale”, shpirtërore… Dhe, të tjerët ai, pra opozitën reale, ai e përcepton si “ujqër”, si “grabitqarë” që mundohen t’ia grabisin torishten! Pra, Mulla Sula nuk ka kurrfarë pushteti, por, ka vetëm përkujdesin prej tashmë bariu të mërzitur për faktin se torishta e tij po bëhet gjithnjë e më shumë e pabereqetshme.


Mulla Sula si çoban stani

Kur jemi te bariu dhe te Mulla Sula, le ta tërheqim këtu edhe një paralele shumë interesante. Një bari i kotë, të cilit i është mërzitur puna në mes të torishtes, kur nisin e i humbin dhentë një nga një atëherë ky zë e kërkon fajtor gjithandej. Çdo ditë e sjell në hell nga një qingj apo dash nga vatha e tij dhe ky për këtë pakësim të torishtes fillon e fajin ia le ujkut! Meqë në këtë rast ujku është “fantazmë”, i pakapshëm nga bariu, atëherë nis e fajin e kërkon te qeni i tij. Nis dhe e dënon duke i dhënë gjithnjë e më pak për të ngrënë, e shikon gjithnjë e më shumë me inat, nis dhe kërkon tjetër qen, më trim e më besnik. Thjesht, nuk e zhvillon luftën vetëm kundër qenit, “besnikut” të vet, por, nga inati zhvillon luftën propagandistike kundër llojit dhe sojit të këtij qeni, sado që të jetë me pedigre mitike! Fajet i ka qeni që nuk po e ha ujkun dhe jo Mulla Sula që po ha qengj e desh!

Kështu sillet edhe Mulla Sula! E vjedh tërë Bashkësinë Islame të uzurpuar prej tij në mënyrë klasike, e eksploaton si një kolonizator, e bënë gjithnjë e më të varfër duke ia vjedhur pasurinë dhe, gjithnjë është në kërkim të “hajnit” imagjinar. Dhe shkon e këtë “hajn” e kërkon “te fisi” me pedigre! Pedigrenë duhet ta bartë vetëm Mulla Sula, prandaj edhe zhvillon luftë kundër konkurrentëve të “pedigresë” dhe jo se aty mund të gjejë ndonjë hajn. A nuk e bëri këtë veprim prej bariut të babëzitur në momentin kur “shkatërruesin e BFI-së” nisi ta kërkojë dhe e gjeti në mesin e stafit akademik të Fakultetit të Shkencave Islame! Institucionet e dijes për një shoqëri normale janë institucione gati të shenjta dhe aty sillen dhe emërtohen në kirearkinë udhëheqëse vetëm personalitete me karakter të padiskutueshëm. Nëse ne mesin e këtij stafi mundohesh të kërkoshë dhe ta gjeshë “hajnin”, të keqin, atëherë në fakt ke ngritur dorë për ta shkatërruar institucionin!

Mulla Sula, kur hetoi se po i pakësohet pasuria, po i zvogëlohet numri i dhenve në torishtë, duke i fshehur gjurmët e veta prej ujkut të çartur, nisi që fajtorin ta kërkojë në FSHI! Dhe e gjeti në krye të këtij Institucioni të shenjtë arsimor. E goditi “qenin me pedigre”! Hajni paska qenë dekani i Fakultetit, Fahredin ef. Ebibi i cili pranoi të shkojë kurban i “sinqeritetit të Mulla Sulës”!


Mulla Sula dhe Hallkbanka

Kohë më parë, Mulla Sula realizoi një takim me drejtorin e ri të Hallkbankës. Natyrisht që i ra në dy gjunj duke i kërkuar kredi, pavarësisht se kreditë e bankave kanë kamata të larta. Mulla Sula pranon të punojë edhe me kamatë vetëm ta mbulojë me ndonjë batanie gropën e zezë që ka krijuar në financat e BFI-së. Natyrisht, kjo gropë me një kredi të tillë vetëm sa mbulohet sipërfaqësisht dhe, rreziku se dikush do të bie e do të thyej qafën në atë gropë gjithnjë është potencial! Megjithatë, Mulla Sula duhet të japë diçka si kundërshpërblim! Dhe, sakaq ai sjell vendim duke i premtuar anëtarësim të klientelës së re në këtë bankë! I urdhëron të gjithë të punësuarit që të kalojnë nga Stopanska banka në Hallkbankë! Dhe ky kalim bëhet fare në mënyrë klandestine! Mulla Sula nuk mban llogari se me këtë gjest po e dëmton interesin e një banke nga shërbimet e së cilës deri dje ka qenë tërësisht i varur. Ai jep urdhër që të gjithë të kalojnë në Hallkbankë, pavarësisht se kjo mund të ketë kosto që mund ta djegë e përvëlojë Mulla Sulën, sepse, shtrohet pyetja se sa ka qenë klient i pastër Mulla Sula në këtë Stopanka bankë!

Fare në fund! A llogarit Mulla Sula se me këtë urdhër prej diktatori të verbër në fakt po i shkel të drejtat elementare të punëtorëve, të drejtat e nëpunësve të BFI-së që i përkasin korpusit të privacisë! Kush është Mulla Sula që, për interesin e vet meskin, t’i urdhërojë prerazi të gjithë të punësuarit e BFI-së të kalojnë në Hallkbank? Është e drejtë absolute e çdo qytetari që të zgjedhë shërbime bankare dhe në këtë të drejtë nuk mund të përzihen as institucionet më të larta shtetërore e lë më Mulla Sula! Me këtë gjest prej qorri, Mulla Sula do t’i dëmtojë financiarisht punëtorët e vet të robëruar, sepse jo gjithkund ka aparate (bankomate) të Hallkbankës dhe, marrja e shërbimeve nëpër aparate të tjerë ka koston e vet. Tjetër, mos të mendojë Mulla Sula se me këtë gjest klandestini do të pajiset me të drejtën e ”azilantit”, mos të shpresojë se Stopanska banka do t’i dërgojë ‘salavate’! Mulla Sula le të bëhet burrë dhe le të pranojë se, cili ishte shpërblimi personal që e mori ai nga drejroti i ri i Hallkbankës për këtë toptan-kalim, apo, në terma financiare, rrjedhë masive nga Stopanska banka në Hallkbankë. Këta të Stopanska bankës veçmë e paskan këtë informacion!


Hajde për hajër: Mulla Sula na paska dhënë dorëheqje?!


Në faqen zyrtare të gënjeshtrave të laboratorit propagandistik të Mulla Sulës, bfi.mk, na liferohet një lajm që ka të bëjë me nënshkrimin e Dokumentit të Këshillit botëror për komunitetet fetare! Një këshill i kotë, që në esencë e synon shplarjen e parave, përmes konferencave dhe takimeve të “liderëve fetarë” dhe asgjë më shumë. Forume të tilla tashmë ka pothuajse në çdo qytet e fshat të vendeve të Lindjes. Dhe, paramendoni, këtë “dokument” në konferencën e fundit që na qenka mbajtur në Abu Dabi, na e paska nënshkruar REISUL ULEMA I BFI-së! Kujdes, “Reisul Ulema i BFI-së nënshkroi dokumentin për antarsimin e BFI së në Kongresin ndërkombëtar të pakicave myslimane” – ky është titulli me të cilin na njohtojnë bilmezat e BFI-së së Mulla Sulës, me të vetmin qëllim që të na tregojnë se sa shumë aktiv është Mulla Sula në rrafshin ndërkombëtar, ndërkohë që brendia e tekstit na sqaron krejt diç tjetër. Meqë në këtë mbledhje ka marrur pjesë “i deleguari” i Mulla Sulës, pinjolli i Sulejmanëve, dekani sekret i FSHI-së, armiku deri në vdekje i ish-dekanit të FSHI-së, Shaban Sulejmani, atëherë, si ka mundësi që ky dokument, në një konferencë ku mungon Sulejman Rexhepi, të nënshkruhet pikërisht nga ky i munguar! Në dokument shihet nënshkrimi i Shaban Sulejmanit, ndërsa titulli i lajmit na thotë se dokumentin e nënshkroi Reisul Ulema i BFI-së. Logjikisht shtrohet pyetja: a mos u përurua në mënyrë sekrete edhe reisi i ri ashtu siç u përurua tinëz edhe dekani i ri i FSHI-së? Apo, Mulla Sula na paska dhënë dorëhejen nga posti i reisit dhe, zyrtarisht, dokumenti i parë që nënshkruhet nga reisi i ri, është një “dokument ndërkombëtar” i nënshkruar në Abu Dabi! Jo, thjesht është një truk i naivëve të “laboratorit propagandistik” që kundërmon në qenef e që përpiqet të na paraqesë një mashtrim optik, sa për të treguar se sa aktiv është Mulla Sula! Tërësisht idiotizëm, pa kurrfarë sensi propagandistik!