Një hyrje në “letrën lamtumirëse” të Sulejman Rexhepit

Sa herë që pushteti prekë në “pronat” e paligjshme të Sulejman Rexhepit, ky gjenë motivin për t’iu kërcënuar pushtetit. Kësaj radhe, përmes një “letre interne”, duke përdorur gjuhën e një barabe dhe duke i dhënë ultimatum pushtetit aktual, në fakt manifeston falimentimin e vet total


Shkruan Dorina Bekteshi




A thua, kush ia shkroi Sulejman Rexhepit atë tekst drejtuar Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, i cili tekst, në fakt përmbante elementet e një letre të dorëheqjes, pavarësisht se kishte tonalitet e ngjyrime të një zhargoni të rrugaçëve me mentalitet të “banditëve” të sapo zhdjergjur nga viset e cubëve të egër.

Një letër përplot kërcënime, ultimatume, me “argumente” paushalle, si ato të bandave që vënë gjoba duke u kërcënuar se, nëse nuk jepen tatimet e fitimit mund të digjet dyqani! Një letër me arsyetim banal dhe kriminal për atë se pse duhet t’ia kthejnë në afat prej 10 ditëve pronën e BFI-së Sulejman Rexhepit! Do me thënë që, nëse brenda dhjetë ditëve nuk ma legalizon villën në Matkë atëherë ta vë zorin që të ma ktheshë pronën e BFI-së!!! Ky ishte konteksti i letrës së Sulejman Rexhepit që ia drejton Qevrisë aktuale!

Pse çështja e denacionalizimit të pronës së BFI-së paraqetitet si problem personal i Sulejman Rexhepit? Pse Sulejman Rexhepi këtë çështje e personalizon dhe nuk e shqyrton me të gjitha organet e BFI-së, pse nuk organizon ndonjë forum të zgjeruar të të gjitha organeve dhe institucioneve të BFI-së, me proceserbal, me konkluzione e me qëndrime të dalin para organeve përkatës të shtetit! Sepse, Sulejman Rexhepi mendon se pronat e BFI-së janë prona personale të tij, ashtu edhe siç i ka trajtuar edhe më herët, atëherë kur qeveria VMRO-PDSH, VMRO-BDI ia ka kthyer pronat në formë të bonove me vlerë miliona euro? Pse i ka shpenzuar këto bona për qejfe e për salltanate të veta, kurse ato bona i destinohen blerjes dhe shtimit të vakëfit!

Me këtë letër të prishur, me këtë paçavurë që i turpëron të gjithë myslimanët e vendit, sepse përmbanë elemente të kërcënimeve terroriste, Sulejman Rexhepi paralajmëron më të keqen, e cila do ta detyrojë që të tërhiqet turpshëm nga BFI-ja. Sulejman Rexhepi e vërteton atë që tash e sa ditë po pëshpëritet: BFI-ja është para falimentimit total, falimentim ky që do të fillojë me mbylljen e Medresesë dhe të paraleleve të dispersuara si dhe të FSHI-së dhe më pastaj edhe të BFI-së! Që mos të vie deri te kjo, Sulejman Rexhepi kërkon që të kthehen disa prona të cilat janë me pullë të kuqe, si zona të interesit nacional dhe, për të cilat mund të fillojë procesi i denacionalizimit përmes letrave në vlerë. Këtë e do Sulejman Rexhepi, sepse paska hapur “medrese” të femrave si dhe FSHI-në të cilat po përballen me probleme të rënda financiare. Këto vatra arsimore janë hapur duke llogaritur në burim të përhershëm financiar e jo se do të mirëmbahen kur do të kthehen një ditë pronat e nacionalizuara! Çka po ndodhë me pronat aktuale? Pse me këto prona nuk po mirëmbahet tërësisht jeta fetare islame në vend. BFI-ja disponon me mbi 200 dyqane dhe, sikur mos të keqpërdoreshin dhe vileshin mirë e realisht qeratë, jo që do të siguroheshin rrogat, mirëmbajtja e vatrave arsimore islame, por do të tepronte për të blerë çdo muaj nga një vakëf modest!

Sulejman Rexhepi botërish është vlerësuar si zhvatësi, keqpërdoruesi dhe shkatërruesi perfkt i vakëfit, prandaj, myslimanët e vendit luten me shpirt që pushteti asnjëherë mos të nisë procedurën e kthimit të vakëfit, sepse Sulejman Rexhepi do t’i bëjë rrush e kumbulla, ashtu siç i bëri edhe pronat tashmë të kthyera!

Sulejman Rexhepi paska me i informuar përfaqësuesit e korit diplomatik për diskriminimin që po ia bëka pushteti aktul si dhe për pozicionimin e pushtetit aktual (pra, edhe BDI-së) në të mirë të Kishës Ortodokse Maqedonase. Kërcënim i kotë, sepse, e para, kori diplomatik ka vite që e ka izoluar dhe margjinalizuar tërësisht Sulejman Rexhepin dhe, e dyta, nuk ka as dhjetë ditë që me gojë të vet, vullnetarisht e me plotë bindje, në një intervistë të paguar në televizionin shqiptar, flet për një harmoni të përkryer ndërfetare në Maqedninë e Veriut si dhe për një bashkëpunim të thellë në mes të bashkësive fetare në vend! Sulejman Rexhepit askund si pret spata në një vend. Çuditërish këtë kërcënim rrugaçërie asnjëherë nuk e ka shprehur gjatë pushtetit VMRO-BDI, në krye me të bekuarin e tij, Nikolla Gruevski.

Sulejman Rexhepi ia gjenë momentin e duhur për ta kërcënuar qeverinë e LSDM-BDI, në prag të zgjedhjeve presidenciale! Sulejman Rexhepi thotë se do t’i përdorë 700 xhamitë për ta alarmuar popullaten myslimane për diskriminimin e qeverisë që po ia bën BFI-së së tij! Në fakt, Sulejman Rexhepi fare mirë e di se apelit të tij eventual nuk do t’i përgjigjen as 20 xhami në tërë Maqedoninë! Sulejman Rexhepi fare mirë e di se do të turpërohet me njerëzit e BDI-së të cilëve ju premton shumë kurse realisht e di që kësaj radhe nuk do të mund t’ua kontrabandojë as 100 vota! Sulejman Rexhepi fare mirë e di që kësaj radhe do të ulet në bangat e gjykatës dhe do t’i nënshtrohet proceseve të drejtësisë për lëndë që përmbajnë padi kundër sërë vepave penale të tij. Sulejman Rexhepi e di që pesha e tij në këto zgjedhje politike do të jetë zero, prandaj dhe, duke e ditur se nuk do të ketë kurrfarë përgjigje në ultimatumin e tij banditesk, do të detyrohet “t’i prishë” raportet me pushtetin aktual dhe, si “patriot i madh” të detyrohet në dorëheqje para presioneve të rënda që do t’i vinë nga pushteti! Kjo është regjia e Sulejman Rexhepit, ndonëse para vetes ka një skenar (letrën drejtuar qeversë) nga i cili nuk mund të realizohet asnjë film vizatimor alla-Tomi dhe Xheri.

E ka të kotë Sulejman Rexhepi që të mundohet për ta përfunduar karrierën si “patriot i anatemuar”, sepse të gjitha veprat e tij dëshmojnë se kemi të bëjmë me një kriminel të rafinuar, i cili, për të dalur nga situatat e pavolitshme di shumë mirë ose t’ia lë fajin dikujt tjetër ose të paraqitet si i rrjedhur truve.

Vetëm edhe një pyetje: pse në letrën paçavër Sulejman Rexhepi pushtetit aktual nuk ia përkujton Xhaminë e Prilepit si dhe Burmali Xhaminë? Mos ka marrur ndonjë dëmshpërblim të cilin tashmë “e ka hëngër kuta”!