“MATURA SHTETËRORE”, BFI nuk prononcohet për fatin e medresantëve (VIDEO)

Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë, nuk e sheh të arsyeshme të japë shpjegime rreth fatit të më se një mijë medresantëve, të cilët në bazë të ligjit të ri për arsim sipëror, e kanë humbur të drejtën e regjistrimit në universitetet e vendit.

Nga ky institucion, i cili njëherësh është edhe themelues i medresesë, ndonëse dje kishte premtime se sot do të dalin me qëndrim konkret, nuk u prononcuan për TV SHENJA. Personi përgjegjës në këtë institucion për arsim dhe shkencë, Jusuf Zimeri, dje na premtoi se gjatë ditës së sotme do të prononcohet rreth kësaj problematike. Por ai sot nuk ishte i kapshëm për redaksinë tonë. Edhe pas disa tentimeve për të kontaktuar me të, nuk arritëm që të marrim një prononcim çfarëdo qoftë ai. Paraprakisht, në lidhje me këtë temë nuk kanë pranuar të japin prononcime as drejtuesit e medreseve në Shkup dhe Shtip, Ibrahim Idrizi dhe Nasir Rexhepi, të cilët u arsyetuan se për këtë duhet të drejtohemi tek themeluesi i medresesë, pra në adresë të Bashkësisë Fetare Islame.

Ndërkohë, medresantët i ndajnë rreth dy muaj nga përfundimi i vitit shkollor, periudhë pas së cilës ata duhet të përgatiten për regjistrim në ciklin e parë akademik. Megjithatë, kjo do të jetë një gjë shumë e vështirë për t’u arritur për to, nëse deri atëherë nuk zgjidhet çështja e maturës shtetërore, pasi ky është kusht themelor që maturantët të mund të regjistrohen në universitetet publike në vend.

Ndërkohë universitetet publike në vend janë kategorike sa i përket ligjit për arsim të lartë, sipas të cilit të drejtë për regjistrim në ciklin e parë të studimeve akademike, si dhe të studimeve në fushën e artit, kanë vetëm personat që kanë kaluar maturën shtetërore, maturë ndërkombëtare apo personat që kanë përfunduar arsim të mesëm katërvjeçar sipas rregullave që kanë qenë në fuqi para maturës shtetërore, kusht që nuk e plotësojnë medresantët.
Në bazë të këtij ligji, rreth 1000 nxënës, sa është numri mesatar i nxënësve që ndjekin mësimin në medrese, prej të cilëve rreth 700 të rregullt dhe mbi 300 me korrespodencë, janë të privuar nga e drejta që të regjistrohen në fakultet të ndonjë fushe tjetër.

https://youtu.be/d-AouPYtDEI