I Verdhi


Fenomeni “I Verdhi” është i rrezikshëm sidomos kur të ngjitet në fronin e ndonjë tip institucioni politik, kulturor a fetar. Sepse, nga ai pozicion I Verdhi skuq fytyrën e të gjithëve. I Verdhi është profil i turpit

Avni Halimi


Është një pikë në Qafë Thanë, në një lak rrugor prej nga, poshtë, si në shuplakë të dorës, shihet Pogradeci i Lasgushit të madh, ndërsa lart, një pamje edhe më madhështore, sa e perkryer aq edhe mistike: Hëna e Plotë e cila, çuditërisht, të krijon ndiesinë se me gjyma po derdhë ngjyrë të verdhë. Mistikët thonë që kjo pamje dhe kjo ngjyrë gjithnjë i ka joshur ujqët e tërbuar, me aftësi shndërrimi në njeri, pra, vampirët.

“I Verdhi është armiku i Profetit”, ishte një batudë të cilën po ia thoshte një alim kolegut të vet derisa po e prisnin autobusin, batudë kjo që tërësisht më dekoncentroi nga ajo analizë që po mundohesha t’ia bëjë fuqisë poetike të Lasgush Poradecit i cili, pikërisht nën atë Hënë përherë të Plotë e të Verdhë kishte skalitur e lustruar një lirikë të përkryer.

“I Verdhi ka durimin e pelës! E duron deri në rrënjë sepse ai është plotësisht i vetëdijshëm se vetëm me durim mund ta arrijë kënaqësinë e vet! Këtë e thoshte alimi…” “Hesht e mos ha”, i tha tjetri! “Që kur vdiq hafëz Idrizi këtu nuk ka më alima! Të gjithë janë vegla të “Zhutit”, që në shqip do t’i vinte I Verdhi, Verdhacaku, Verdhomi, diçka si bajga e dhelprës…”

Ata dy alima po flisnin për një person të cilit nuk po ia zinin ngoje emrin e vërtetë ngase, mbase ishte për t’u urrejtur deri në atë shkallë! Apo, pse jo, mund të ishin edhe kolegë të të Verdhit të cilit po ia shqiptonin vetëm emrin konspirativ.

Fenomenet e këtillë, pra, ata me emra konspirativë, informatorët apo siç njihen me gjuhën e popullit kodoshët, janë argatët më të papaguar të një sistemi diktatorial, janë, si të thuash, vullnetarë të dhënies gjak çdo aksioni që duhet të kryhet nga ana e shërbimeve sekrete.

Thuhet që, ata që dhurojnë gjak, e kanë pak trishtim vetëm herën e parë, ndërsa pastaj, dhurimi i gjakut i kalon në detyrë morale! (E trishtueshme është prishja e virgjërisë). Gatise bijnë në asfiksim kur t’i rrokë sikleti i dhënies së gjakut! Me po këtë pasion janë edhe kodoshët, të cilët, pasi ta kalojë “trishtimin” e dhënies së informacionit të parë, më vonë, nuk do ta kenë për trishtim as depërtimin deri në intimitet të “viktimës”. Ndërsa, alimi mbase për këtë soj po mendonte kur tha që “I Verdhi e ka durimin e pelës…”

Çfarë mund të ndodhë kur një “ish-informator” tani na vihet në krye të një komuniteti kulturor, apo politik a fetar!? Me cilat dilema shoqërore, estetike a morale do të përballeshin tipat e tillë kur do të gjendeshin në pozitë! Ose, si mund të arrijnë informatorët në pozita të llojllojshme?

Në historinë më të re të nënqiellit tonë por edhe të hapësirave më të gjëra rajonale (ato hapësira nuk janë me interes për ne) ka plotë infiltrues të tillë që kanë arritur deri në postet më kyçe shoqërore. Putini, për shembull, prej një kodoshi klasik (natyrisht, me shkollë) arriti të vijë në krye të Rusisë! Pra, si arrihen këto maje obelisku nga ata që tërë një periudhë e kanë kaluar si urithë, nën tokë? Të tillët ngjiten drejt karrierës ose me kushtëzime, të cilët, duke i mbajtur në dorë si adute kryesore, i nënçmojnë të gjithë ata që kanë forcën e vendosjes së figurave nëpër vende kyçe; ose, duke qenë edhe më tej vegla të shërbimeve sekrete, të tillët qëllimisht emërohen në poste duke e realizuar një qëllim të paramenduar: i keqi të zëvendësohet me më të keqin! Edhe i keqi, edhe më i keqi, edhe më tej mbesin të kurdisur për ta demonstruar skajshmërisht durimin e pelës.

Po a mund të thuhet se, qëllimi i emërimit të “Verdhëcakut” (që sllavisht do të quhej “zhuti”) në një post është vetëm për ta degraduar “të keqin”! Në nënvetëdijen e strukturave të zbulimit e të kundërzbulimit të gjithë, absolutisht, të gjithë kodoshët janë të këqinjë dhe, në fund ose pensionohen si të këqinj ose likuidohen si të këqinj. Hidhen si masha në hekurishtet e ndryshkura. Aty, sepse, mashat as prushi i ferrit nuk i shkrinë, thonë Librat e Shenjtë!

Për shkak të papjekurisë morale informatori në parim nuk e ka për problem të përdoret edhe si mashë, apo si grrep për ta kapur peshkun, ose edhe si kurth për ta përgjakur e copëtuar një ideal të shëndoshë e shumë të rëndësishëm. Në çka përngjanë ai kurth i informatorit prej të cilit duhet të ikë secili potencial për t’u bërë viktimë e kodoshit që tashmë mund të jetë në krye të një institucioni, asociacioni, organizate, organi shtetëror etj! Thjesht, është afiniteti i lartë aktoresk për të prezantuar lojë të përkryer skenike. Kalimi prej një situate në situatën tjetër psikologjike, prej një gjendje shpirtërore në gjendjen tjetër, prej një loti në lotin tjetër, prej një infarkti të stimuluar e deri në mbrythje, duhet të demonstrohen me një aftësi natyrale e cila, si koqe talenti, do të përkryehet përmes stërvitjeve sistematike nëntokësore. Fundja, i keq a i mirë – ky është profesioni i informatorëve profesionistë, të cilët, gjithësesi që në fund përjetojnë fund të tmerrshëm! Hidhen si kockë për qen në pleh! Është ky momenti kur ata (pra, kodoshët) seriozisht duhet të përballen me një të keqe, me një degradim të realtë që do t’i thyej në shpirtë, momenti kur ata duhet të kalojnë nëpër një krizë të realtë shpirtërore me qëllim që, nëse jo në shoqërinë e gjërë, të paktën në familjen e ngushtë ta ndjejë një dhembje e një përkrahje që ia garanton një vdekje të ngrohtë! Natyrisht, shoqëria e gjërë, sidomos ato shtresa shoqërore të goditura nga kodoshllëku, me xhelozi do ta ruajnë sekretin e kodoshit dhe nuk do ta “spiunojnë” vetëm për hirë të fëmijëve që mos të përshtirohen prej babait të vet kodosh! Ky është akti më fisnik i të përvuajturve që ngadalë e ditë për ditë ia ha shpirtin kodoshit.

Fenomeni i të Verdhit është i rrezikshëm sidomos kur të ngjitet në fronin e ndonjë tip institucioni politik, kulturor a fetar. Sepse, është pandam i profileve të mirëfilltë! Çfarë mund të prodhojë një politikan profesionist në krye të një partie politike? Do të prodhojë disa kuadro të forta politike, pa dyshim! Çfarë mund të prodhojë një patriot i paepur në krye të një institucioni? Do të prodhojë ide të shëndosha e me vlera kombëtare si dhe një dyzinë patriotësh të mirëfilltë! Çfarë mund të prodhojë një gjakmarrës i ulët në një katund, pos mekanizmin e fallsifikimit dhe të shtrembërimit të burrërisë! Krejt në fund – çka mund të prodhojë një profil kulturor në krye të ministrisë për kulturë! Ky i fundit gjithësesi që do të prodhojë profile të atillë vlerash që i përkasin sferës kulturore prej nga vjen ai!

Në shoqëri janë të njohura shumë fondacione e asociacione prej të cilave dalin profile të shkolluar e që më pastaj kapacitetet e veta intelektuale i vënë në shërbim të atij stipendisti që gjithnjë e synon kontrollimin dhe dirigjimin e organeve shtetërore. Natyrisht që caqet e tilla synohen përmes elaborateve dhe programeve të posaçme të cilat kanë një afat përdorimi të përhershëm. Pra, shtyhen dhe përkrahen ata persona që paluhatshmërisht premtojnë shërbime dhe kryerje me sukses të misioneve përkatëse. U muar vesh – këtu kemi të bëjmë me metodën e sofistikuar e që është karakteristikë ekskluzivisht e shërbimeve sekrete, të institucioneve të zbulimit e të kundërzbulimit.

Së këndejmi, kur një kodosh avansohet dhe shtyhet deri në majen e një organizate, ndërkaq mbrapa do t’i qëndrojnë “punëdhënësit e mistershëm”, detyrimisht që duhet të kihet kujdes që i njëjti të posedojë aftësi të hyjnishme transformimi! Në këso rastesh më atraktriv dhe më tërheqës do të dukej vetëm ai kodosh që me mjeshtri i kamuflon aftësitë shtazarake të transformimit të vet! Vetëm gjahtarët e dijnë se sa e rrezikshme është dhelpra e plagosur! Mjeshtërisht e aktron ngordhtësinë, ndërkaq që me padurim e pret kafshimin e gjahtarit, i cili, mund t’i shpëtojë nofullave të saj të shtangura vetëm nëse do t’i kujtohet që t’ia fus gishtin në prapanicë.

Pra, kodoshi i pozicionuar në krye të ndonjë kierarkie të organizuar institucionalisht duhet të duket si një dhelpër e plagosur, e cila nuk reagon as kur pështyhet, as kur shqelmohet, as kur goditet me gurë, as kur shahet, as kur i shkulet veshi. Sepse, ka një qëllim, dikë duhet ta kafshojë e ta përvëlojë. Dhe, të gjitha këto afinitete shtazarake, i kamuflon me vënie të rregullave të cilat i konvenojnë vetëm shërbimeve sekrete, të zbulimit e të kundërznulimit. Vë rregulla të një disipline e cila do ta sanksiononte secilin që do të dukej i padëgjueshëm. Kodoshit natyrisht që më tepër i konvenon shamata, zhurma, zënka, fjalosja, rrahja, vrasja, se sa që i konvenon disiplina! Dhe, e di që, përmes kësaj metode ai mund të shkaktojë një bela! Sepse, sa më ngushtë puna sherri më i madh! Është kjo një nga metodat sekrete që përdoret me qëllim të matjes së temperamentit të të punësuarve. Mosbindja ndaj këtyre rregullave policore sanksionohet me mosmarrje të rrogës e me parapërjashtim, madje edhe me përjashtim nga puna! Kodoshit nuk i bëhet vonë për një sanksionim të tillë, pasi që ai është i bindur se, “rrebeli” së shpejti do të përfundojë në burg ku nuk ka rrogë “për rrebelin” e as për fëmijët e tij.

Provoni dhe thuajini një të dyshimti që e njihni për kodosh dhe se keni të dhëna nga dosja e tij policore! E dini se me çfarë reagimi do të përballeni! Brenda dy ditëve do të duket si i tërbuar, si i çartur, ndërsa ditën e tretë do t’ua sjell një vërtetim nga arkivi! Do të mundohet që t’ju bind se vërtetimi i tij që e ka në dorë dëshmon për pastërtinë e tij shpirtërore, për moralin e lartë dhe për patriotizmin e paepur! Tërë atë dëshmi do ta tregojë në mënyrë rafale sa që, do të mbeteni pa kohën e duhur për t’i thënë që, kodoshët nuk kanë dosje, kodoshët sajojnë dosje! Si mund të ket “miu i zyres” dosje kur ai është i kurdisur që të spiunojë me qëllim të sajimit të një dosje për iks personin e rëndësishëm!

E tërë bota është dhe duhet të ngelë në konspiracion! Kështu mendojnë Verdhacakët, Armiqtë e Profetit, informatorët e kodoshët e llojllojshëm. Fytyra e tyre është sa një fushë. Lum ajo dorë që nuk i hy matjes së fytyrave të tilla! Është punë e kotë! Sepse, kodoshët shumohen shumë shpejt, janë si farat e hithrave, shtohen duke u spërkatur me verdhësinë e Hënës së Plotë. Prandaj, thuhet që është punë e kotë përpjekja për ta matyr fytyrën e tyre! Njeriut i duhen miliona vitë për t’i dalur në skaj asaj matjeje!

Ja se si shtohet një kodosh! Pra, nuk duhet harruar që misioni i kodoshit në krye të një institucioni është të hapë aty një filiale të agjensionit për zbulim e kundërzbulim ku do të angazhohen kuadrot që do t’i prodhojë përgjatë mandatit te vet! Patrioti gjithnjë ka nxjerrë dy-tre patriotë nga aradha e vet! Po këtë gjë do ta bëjë edhe kodoshi! Pavarësisht se nxënësit e vet mund të vijnë nga një shkollë, a nga një kolegj diplomat e të cilit nuk i pranon askush, ata shumë lehtë, madje edhe duke e tejkaluar kuotën nacionale e religjioze, do të pranohen në agjensionin përkatës! Kodoshit në krye të një institucioni me relevancë, për shembull, asnjëherë nuk do t’i shkojë mendja që të prodhojë tetë regjisorë, apo, tetë kompozitorë, apo, tetë artistë, apo tetë mjekë, apo, tetë portirë, ndërsa, mjeshtërisht do t’i shkojë ndore që t’i prodhojë e t’i aktivizojë tetë kodoshë! Punë Verdhëcaku! Ky duhet të jetë ai durim i pelës të cilin alimi thoshte se e ka I Verdhi! Epo, edhe ky duhet të ketë diç! Në të kundërtën, askund nuk do të gjendej kali i shëndoshë. (FAKTI,2004)