Misteret e shkarkimeve në BFI

Këta myftinjë që e shkarkuan Sulejman Rexhepin, janë në një sprovë - në emër të Zotit dhe, vetëm për Zotin, të dalin nga hija e keqe e Sulejman Rexhepit dhe të japin kontributin e tyre që, së bashku me forcat progresive dhe reformuese që më se gjysëm dekade ishin oponencë e Sulejman Rexhepit, ta çlirojnë këtë institucion nga prangat e interesave meskine dhe t’ia rikthejnë po atë shkëlqim, dinjitet dhe identitet që e kishte ndër shekuj.

Shkruan: Shaban AZIRI

Ditëve të fundit në shumë portale e rrjete sociale të RMV-së u përfol martesa jo fortë e zakontë të 74 vjeçarit Sulejman Rexhepi me një grua 50 vite më e re se vetë ai. Kjo ngjarje u përdor si shkas nga disa Myftinjë dhe “anëtarë të Rijasetit” për ta shkarkuar Sulejman Rexhepin nga posti i Kryetarit të BFI-së. Kjo martesë përtej shijes së hidhur etike që la, kurrsesi nuk duhej të merrej si alibi për shkarkimin e tij nga posti i reisit sepse është idiotësi të përzihesh në jetën private të njeriut, fundja edhe njëri edhe tjetri aktin martesor e kanë bërë me vetëdëshirë.
Përtej kësaj, shkarkimi i Sulejman Rexhepit shpërfaq problemet e mëdha, strukturore e shumë shtresore që ka organizimi islam në Republikën e Maqedonisë së Veriut gjatë dekadës së fundit. Shkarkimi i Sulejman Rexhepit është rasti më i mirë për ta stopuar një përvojë e cila Bashkësisë Fetare Islame gjatë dekadës së fundit po i ndodhë për të dytën herë me një skenarë identik. Më vitin 2005 në kohën kur Kryetarë i Bashksësië Fetare Islame z. Arif Emini në u shkarkua nga posti i reisit largë selisë së BFI-së në të njëjtën mënyrë për shkaqe të cilat kurrë nuk u zbardhën. Po ky skenar u përsërit në mëngjesin e ditës 27. 05. 2020 ku disa mytinjë dhe “anëtarë të rijaseti” u tubuan në Gostivar dhe shkarkuan Sulejman Rexhepin nga “posti i reisit” dhe zgjodhën Shaqir Fetahun ushtrues detyre për kohë të caktuar. Edhe ky shkarkim u bë në bazë të një procesverbali ku nuk përmend asnjë arsye apo veprim i cili çon deri te shkarkimi.
Një gjë dihet se autorë në skenarët e tilla nuk janë Imamët, profesorët e Medresesë, profesorët e Fakultetit, as nëpunësit në BFI, por myftitë dhe “Reis Ulemaja”. Pastaj, shkarkimet e tilla kurrë nuk u bënë në selinë e Bashkësisë Islame, aty ku është vendi, por në vende periferike largë opinionit duke shkarkuar dhe emëruar njëri tjetrin. Kjo dëshmon se sistemi i organizimit të jetës fetare është i kapur nga një grup personash të cilët kanë interesa të përbashkëta të cilët jo gjithnjë përfaqësojnë islamin, hoxhallarët dhe muslimanët e vendit. Prandaj, e shoh të domosdoshme ndryshimin e sistemit organizativ të BFI-së me qëllim që të kapërcehen lidhjet direkte dhe monopoliste të këtij institucioni me islamin. Ky ndryshim do t’ia kthente natyrën e vërtetë jo vetëm institucionit, por edhe të vetë klasës së hoxhallarëve. Një institucion i tillë do të ishte llogaridhënës, transparent dhe me përgjegjësi ndaj publikut.
Bashkësia Fetare Islame do ta gjenë qetësinë vetëm atëherë kur e vërteta e ndodhive të shpaloset në tavolinë, atëherë kur shpërdoruesit e pronës së vakfit, zekatit, fitrit, haxhit të japin përgjegjësi para drejtësisë, vetëm atëherë kur keqëpërdoruesit e fondeve të saj të ndëshkohet me masën e drejtësisë, vetëm atëherë kur BFI të çlirohet nga kjo klasë e veçantë klanore të cilët janë bartës të pikëpamjeve që kanë bllokuar zhvillimin e brendshëm dhe të jashtëm të jetës fetare të këtij institucioni. Andaj, është hipokrizi dhe idiotësi për këta myftinjë të shkarkojnë të parin e tyre pa ia kërkuar përgjegjësinë për të bëmat dhe dëmet që ia ka shkaktuar Bashkësisë Fetare Islame-shtëpisë së muslimanëve. Është e pandershme që kjo fajësi e Sulejman Rexhepit të mos kërkohet edhe në mes të myftinjëve si anëtarë të “rijasetit”.
Megjithatë, këta myftinjë që na e paskan shkarkuar Sulejman Rexhepin, janë në një sprovë - në emër të Zotit dhe, vetëm për Zotin, të dalin nga hija e keqe e Sulejman Rexhepit dhe të japin kontributin e tyre që, së bashku me forcat progresive dhe reformuese që më se gjysëm dekade ishin oponencë e Sulejman Rexhepit, ta çlirojnë këtë institucion nga prangat e interesave meskine dhe t’ia rikthejnë po atë shkëlqim, dinjitet dhe identitet që e kishte ndër shekuj.

(Autori është funksionar i BFI)