Çka bëmë ne hoxhallarë


Viti 2015 llogaritet si vit kur u “çlirua” Sulejman Rexhepi, vit kur ai, plotësisht i lirë dhe në liri të plotë i nguli thonjtë e tij në qafë të BFI-së; ky vit do të ngelë në historinë e BFI-së si vit kur Sulejman Rexhepi nisi t’i nënshtrojë të gjithë hoxhallarët, vit kur hoxhallarët ranë në heshtje totale. Sa keq e sa turp për ne


Shkruan Nijazi Fetahaj



Askujt nuk i shkoi për dore si Sulejman Rexhepit në eksperimentimin e turpshëm për “robotizimin” e hoxhallarëve të Maqedonisë së Veriut. Të gjithë hoxhallarët (me përjashtime) i rrinin lepe-peqe, kurse kurrë nuk patën guximin për t’ia shtruar qoftë vetëm një pyetje Sulejman Rexhepit. Sepse, ai, me kohë ua bëri me dije se përmes ndihmës institucionale policore do t’i bëjë “terbije” të gjithë ata hoxhallarë që nuk do të jenë të dëgjueshëm e të përulur para këmbëve të tij! A nuk filloi këtu turpërimi ynë si hoxhallarë? A nuk filloi këtu largimi i hoxhallarëve rrebelë, a nuk i dorëzonte para gjyqeve, a nuk i largonte nga puna, me lloj-lloj etiketimesh e montimesh? Ndërsa hoxhallarët edhe në këtë diskriminim e devalvim, sikur ndaheshin të kënaqur, sepse u vinte nga Mulla Sula, heeeej, nga “kalorësi i Skënderbeut”, nga “miku më i madh i amerikanëve”!

Dikush këto ditë shkroi se për këto vite Sulejman Rexhepi paska larguar rreth 40-50 hoxhallarë! Dhe këta nuk arritën që ta formojnë një “komunitet” dhe bashkarisht ta padisnin për satrap e diktator që kërkon shpirtin e hoxhallarëve ta mbajë në grusht të vetin!?

Sulejman Rexhepi nuk i bente hesap hoxhallarët më sa një pulë të lagur e të përbaltur, kur dëshironte ai ua çonte policët në xhami, kur dëshironte i padiste e i akuzonte si “muxhahedinë”, si “vehabistë”, si elemente të shërbimeve të huaja dhe, po të njëjtit, kur i duheshin, i fuste në institucion, i devalvonte dhe sërish pastaj i hedhte rrugëve.

Ne hoxhallarët mbanin përgjegjësi për tubimin e fitrave, të gjetjes së sa më shumë kandidatëve për në haxh, ne obligoheshim të mbanin vaze bindëse për të paguar në BFI zeqat, për ta shtuar numrin e myslimanëve që therrnin kurbanë, gjegjësisht, që paguanin për therrje! Edhe pse, ne hoxhallarët e dinim shumë mirë se tërë kjo ishte manipulim, se detyroheshim t’i gënjejmë myslimanët për organizim të mirë dhe profesional të haxhit me një çmim më të shtrenjtë në rajon… megjithatë, bënim gara se kush do ta zbatojë më mirë urdhërin e Sulejman Rexhepit dhe cili hoxhë do të lavdërohej nga goja e tij i cili, herë ua shante nënat e herë gratë!

Ne e dinim se tërë angazhimi ynë keqpërdorej, sepse Sulejman Rexhepi kishte vendosur që ta keqpërdorë pozitën e vet, edhe pse e shihnim se si shtohej pasuria e tij, edhe pse e shihnim se si i blentë makinat, se si i shtonte, se si ua personalizonte familjarëve të tij, nipave të tij, ne hoxhallarët bënim gara se kush do të lavdërohet më shumë nga goja e Sulejman Rexhepit. Jo njëherë ia kemi kthyer shpirtin, madje në çastet kur ashiqare po shihej se ai po ikte, po merrte fund!

Po ne hoxhallarët jemi radhitur para zyres së tij duke pritur me orë të tërë që të futemi te ai dhe t’ia urojmë “dekoratat”, ndërsa kurrë nuk u angazhua të na i paguaj kontributet pensionale-invalidore.

Ne, hoxhallarët fukarenj e me dinjitet të nëpërkëmbur, i porosisnim këngë, kërcenim valle, hidheshim e përdridheshim si pijanecë, duke ia shtuar kënaqësinë Sulejman Rexhepit tek ai organizonte ahengje e festime të ditëlindjes, me muzikë të gjallë, me pjevaçica e me folk-dallkaukë!

Sa për ne hoxhallarët dhe për bashkëpunëtorët e tij sahanëlëpirës Sulejman Rexhepi do ta vazhdonte edhe 100 vite duke e eksploatuar BFI-në dhe institucionin e hoxhës. Sulejman Rexhepi në mesin e hoxhallarëve më tepër kërkonte të atill me afinitete prej spiuni se sa me afinitete prej teologëve të mirëfilltë.

Sulejman Rexhepi bëri çfarë i deshti shpirti me hoxhallarët dhe me bashkëpunëtorët e tij, të cilët, ja që na u rrebeluan sepse Mulla Sula na u martua! Reagimi i tyre doli më tepër si xhelozi se sa si ndëshkim nga një gabim! Në momentin kur Sulejman Rexhepi vuri kurorë me bashkëshorten e vet, këta u ndjenë si të divorcuar dhe reaguan si “gratë e këqia”! Ia bënë hallall të gjitha haramet Sulejman Rexhepit por jo edhe kurorën me atë që e zgjodhi për ta mbyllur jetën!

Forma e shkarkimit të uzurpatorit të BFI-së, Sulejman Rexhepit, do të mbahet gjatë kohë në mend si kulmi i hipokrizisë së hoxhallarëve dhe bashkëpunëtorëve të tij. U shfrytëzuan, u përbuzën, u ofenduan dhe heshtën, ndërsa këtë heshtje po e betonojnë edhe me faktin që nuk po këmbëngulin në arsyetimin e vendimit për shkarkim.

I keni kërcyer Mulla Sulës në ahengje e në ditëlindje, ia keni hëngër bukën dhe privilegjet, keni vjedhur bashkë e keni shitur vakëfe, tani, normalisht, jeni shumë të vetëdishëm se nuk ju ka hije që ta kritikoni por, vetëm ta zbythni pak tutje! Fryma e tij vazhdon përmes jush!


Kushdo që dëshiron të lirohet nga ajo frymë, duhma e të cilit kundërmon në krim e në mëkat, “shpëtimin” mund ta gjejë vetëm në forcën e bekuar nga vetë Zotit – në Lëvizjen Myslimane për Reforma në BFI në RMV, e cila, plotë pesë vite, natë e ditë, e luftoi këtë të keqe dhe “ushtrinë e djallit”. Ky është shansi i vetëdijësimit tonë, ndërgjegjësimi i të gjithë neve që i pimë Sulejman Rexhepit ujë për shnet!