FYTYRA QË NUK DUHET TË MBAHET MEND


U publikua një dokument nga një dosje policore e UDB-së e viteve '80 të shekullit XX. Bëhet fjalë për Shaqir Fetain, pretendentin për "reis" i cili ia paska pas bërë hizmetin këtij posti qysh kur paska qene student e i njohur me nofken policore "ORAO" (Shqiponja)


(Grup i hoxhallarëve nga Kumanova)


A na ngeli pak fytyrë? Edhe ajo pak fytyrë që na ka ngelur duhet shkarravitur mbi të, derisa të mbulohet, të zhduket, të mos njihet më se ështe fytyrë. Ka një shpëtim nga ky turp! Distancimi total nga Shaqir Fetai! Jo të shoqërohemi me të, por, të na vie turp që e kemi njohur dikur. Nëse nuk heqim dore prej këtij "bereqeti" atëherë të mos na vie inat e të mos ofendohemi kur nesër, historia, do të na personifikojë me Shaqir Fetain dhe të gjithë klerin mysliman të na njollosë si udbashë, sepse tashmë ekziston një dokument dhe një fakt që flet se hala ka nga esnafi ynë njerëz që si langaraçë i shkojnë pas Shaqir Fetait. Kjo mund të kuptohet se edhe vetë ata janë shërbëtorë të UDB-së dhe urdhërohen që mos ta lënë të vetmuar Shaqir Fetain por të veprojnë bashkarisht, sepse së bashku do të jenë më të fortë, të pathyeshëm dhe më i mundshëm do të jetë misioni i përcaktuar - shkatërrimi në themel i BFI-së.

A mundet që ky dokument të jetë një "selam" i strukturave të UDB-së për strukturat përkatëse institucionale të Republikës së Maqedonisë së Veriut? Një selam se edhe më tej UDB i kontrollon institucionet jetike të Maqedonisë së Veriut! A mund të jetë selam edhe për strukturat e vjetra të UDB-së si kërcenim dekonspirimi për të gjithë ata që nuk aktivizohen tash dhe që nuk e luajnë lojën e vjetër të UDB-së?

Shaqir Fetai, nëse vetëm pak ka, të paktën qelb shqiptari se, gjaku iku më, atëherë duhet të rrebelohet dhe me një doreheqje publike t'i inkurajojë edhe të tjerët në bashkëveprim dhe ta falimentojnë njëherë e mirë recidivën antishqiptare, UDB-në! Kjo strukturë antifetare e antikombëtare le të vdesë në trungun tonë, sidomos në atë fetar.

Shaqir Fetai, si njeri i kulturuar, si njeri i letrave shqipe, është mirë që në mënyrë të kulturuar të japë dorëheqje dhe, të mos lejojë që të bëhet dy herë viktimë e UDB-së: një herë kur u rekrutua si student dhe tash kur shantazhohet si "reis" me qëllim që mbarë bota ta dijë që BFI duhet të jetë filiale e UDB-së. Shaqir Fetai është në lëvizje që ta shkarravisë këtë skemë të kësaj strukture serbosllave dhe të bëhet shembull për të gjithë "udbashët nën çallmë". I duhet vetëm një dorëheqje e kulturuar nga aktivitetet e më tejme, madje edhe si hoxhë. Një dorëheqje e kulturuar dhe kthim kah Zoti, jo sa për fytyrë por për devotshmëri, për pendesë e për kërkim falje.