Editorial / Nga sot hipokrizia do të quhet Shaqir Feta

Do “alima” të mëdhenj, do “fetfaxhinj” cukla-cukla, do “sheriatlinjë” që shesin dinin në këmbim të një epiteti eksitues, do profesora që lejojnë t’u fëlliqet intelekti duke u futur vullnetarisht deri në maje të hundës në fëlliqësirë, sot e kryen detyrën e vet duke u vënë në shërbim të djallit, duke u tallur me mësimet kuranore e me traditën e Pejgamberit a.s., duke u tallur me akte normative që mbështeten në këto Mësime e në këtë Traditë!

Sot, që të gjithë, me përjashtime të mëdha, u lëshuan në veshjen e shejtanit me mini-fustan, vetëm për të na e zbukuruar e për të na e ndjellë epshin, lakminë, smirën! Elhamdulilah, askuj nuk i bëri përshtypje ky akt putan, kurse të devotshmit u irituan jashtëzakonisht shumë nga lakejtë dhe jargaxhinjë që për një kockë këlyshi dinë edhe të servilosen.

Sot u munduan të na e zyrtarizojnë për Reis, Shaqir Fetain, i cili, absolutisht nuk është zgjedhje e shumicës myslimane të vendit por është produkt i aktivieteve të shërbimeve intelegjente të huaja për islamin, produkt i dofarë Stankove e Boshkove! 

Që nga 27 maji i këtij viti e deri më sot, Shaqir Fetai në çdo sekond të Zotit ka shkelur Kushtetutën e BFI-së si dhe aktet e tjera normative të këtij Institucioni, ka lejuar të shkilen këto akte normative, ka frymuar me këto shkelje, ka hyrë në namaz me këto shkelje të Kushtetutës së BFI-së, e cila që në Preambulë, për moto veprimi ka vënë ajetin kuranor në shenjë betimi se me këtë Kushtetutë do të veprohet ashtu siç porositë Allahu xh.sh.: “...Për çdo (ummet) Ne caktuam ligj e program...” (El-Maide, 48).

Shaqir Fetai në historinë e BFI-së do të ngelë si sinonim i shkeljeve flagrante të Kushtetutës së BFI-së, do të ngelë si i vetmi mysliman i diskutueshëm që e këmbeu emrin e vet me fjalën hipokrit, do të ngelë si i vetmi “reis” që erdhi i përkrahur nga forcat politike që nuk kanë asnjë pikë të përbashkët me islamin. 

Shaqir Fetai, pa asnjë dyshim, po na del se do të jetë “reis” i LSDM-së dhe myteveli i BDI-së!

Shaqir Fetai, ndonëse është dëshmuar edhe publikisht se është shkelës i pamëshirshëm i Kushtetutës së BFI-së, u tolerua nga strukturat e drejtësisë dhe u ndihmua nga pushteti që të bëhet reis i cili do të rrënohet nga pesha e hijes së politikës.

Të gjithëve u erdhi pështirë kur Shaqir Fetai u betua se nuk do ta shkelë Kushtetuutën e BFI-së si dhe aktet e tjera të BFI-së, ndërsa është dëshmuar si injoranti më i madh në vend që nuk ka lidhje dhe nuk e njeh fare këtë Kushtetutë. 

Dhe ata (ai), njëfarë ish-myftiu, njëfarë njohësi i mirë i drejtësisë islame, e cila na e mëson në mënyrë decide se si të sillemi me shkelësit e “ligjeve dhe programeve” (El-Maide, 48), ia bën duanë, i lutet Zotit që t’i japë suksese të ligut në punën e tij si reis!!! E ku është i mirë dhe i suksesshëm Shaqir Fetai përveçse në shkeljen e Kushtetutës dhe të akteve normative të BFI-së që bazohen në Kuran dhe në Traditën e Pejgamberit a.s.? Në këtë punë të djallëzuar ai është treguar shumë i suksesshëm dhe kjo nuk na habit. 

Habit fakti se si “sheriatlinjtë” e Shaqos luten që në këto shkelje ta ndihmojë Zoti Shaqir Fetain! Fatmirësisht, ekzistojnë edhe shumë ajete, shumë hadithe, mijëra përvoja islame që dëshmojnë se shejtanllëqet dhe injorancën Zoti Fuqiplotë kurrë nuk e ka ndihmuar dhe nuk e ka shpërblyer me asnjë sukses, përveçse me dështime, me humbje, me zhdukje deri në shfarosje.

Lëvizja Myslimane për Reforma në BFI të RMV-së