Shkeljet dhe masakrimi i Kushtetutës së BFI në RMV




Në inbox-in e faqes zyrtare të Këshillit për Mbrojtjen e Kushtetutshmërisë së BFI-së, kanë arritur qindra letra e kërkesa në cilat është shprehur kryesisht interesimi për t’ua shpjeguar të gjitha shkeljet kushtetutare që i ka bërë Shaqir Fetai, me rastin e zhvillimit të aventurës së vet në korniza të skenarit partiako-politik që kishte synim degradimin e BFI-së. U shkel vetëm një herë Kushtetuta – kush garanton se ky gjest nuk do të përsëritet dhe nuk do të bëhet praktikë e BFI-së! Dikush u angazhua që mos të ketë kurrë BFI stabile, me përvojën e vet shumëshekullore. Tani e tutje kemi “BFI”-në e Shaqir Fetait dhe honxho-bonxhove të vet

Viti 2020 në historikun e Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së do të ngelë si vit nga më të mbrapshtët. U suspendua Kushtetuta e këtij Institucioni, u rrënua përdhe, u deligjitimua, u defaktorizua, u deinstitucionalizua e u depersonalizua nga faktorë antiislam! Ngjarjet që e shoqëruan përgjatë vitin që e lamë pas, janë ndër ato ngjarje të mëkatshme për të cilat, gjithësesi që ia vlenë të ketë ndëshkime drejtësie, morale e islame. Nuk mund të pranohen për myslimanë të denjë ata që me veprimet e tyre u pajtuan që të shkelin Kushtetutën e BFI-së e cila rregullon jetën fetare islame. Nuk ngeli gjë e keqe që nuk u ushtrua mbi këtë Institucion. Organet e drejtësisë si dhe organet gjegjëse shtetërore që janë kompetentë të përcjellin punën kushtetuese të çdo institucioni të nivelit kushtetutar, të cilët kushtetutat e veta i kanë të deponuara në Gjykatën Themelore, nuk reaguan fare por, duke qëndruar si të verbër e nemë, lejuan që BFI-ja të devalvohet deri në një kotec rrebelësh që mbijetojnë vetëm duke shkelur akte normative e duke shkatërruar Institucion.
Që nga aventura e disa segmenteve të pushtetit në bashkëpunim me disa kukulla brenda BFI-së e deri te zgjedhjet ilegjitime ku u zgjodh një “reis” kontravers, i delegjitimuar, i degraduar, i kontestuar, sepse ishte i falsifikuar, e deri më sot janë bërë qindra shkelje të Kushtetutës së BFI-së. Në këtë analizë të thellë jemi përqëndruar vetëm në ato shkelje që u kryen nga momenti i shkarkimit të ish-reisul ulemasë e deri në zgjedhjen e atij reisi që më tepër është imponim politiko-partiak se sa përfaqësues legjitim i organeve dhe, përgjithësisht, i masës muslimane të vendit. Ky është indeksi i të gjitha shkeljeve të “teologëve” anarkistëve që ia bënë Kushtetutës së BFI-së!

I – Shkelja e autonomisë së BFI-së, devijimi i qëllimit të vetëm

II – Shkeljet e Kushtetutës me rastin e shkarkimit të Reis ul Ulemasë

III – Shkeljet e Kushtetutës me rastin e ‘caktimit’ u. d. Reis ul Ulemasë

IV – Shkeljet e Kushtetutës me rastin e dorëheqjes së Reis ul Ulemasë

V – Shkeljet e Kushtetutës me rastin e emërimit të Muftinjve dhe një u. d. Muftiu

VI – Shkeljet e Kushtetutës me rastin e emërimit të drejtuesve të sektorëve dhe shoqatave

VII – Shkeljet e Kushtetutës si pasojë e suspendimit të Kuvendit të BFI-së

VIII – Shkeljet e Kushtetutës me rastin e zgjedhjes së Reis ul Ulemasë

Këshilli për mbrojtjen e kushtetutshmërisë së BFI-së ka konstatuar se, “Rijaseti” aktual, me përbërjen e vet antikushtetuese, nuk është kompetente dhe as profesionale që të japë interpretimin autentik të Kushtetutës, ndaj dhe ka përgatitur këtë analizë të thellë që ka të bëjë me të gjitha shkeljet kushtetutare të “reisit” aktual i cili, pa dyshim, është i imponuar nga subjekti jashtë BFI-së, subjekt ky që aktivitetin e vet e bazon në zhvillime politike. Pa dyshim, të gjithë ata që lejuan që politika qeveritare të përzihen në BFI, të vendosin dhe të diktojnë politika, si dhe të gjithë ata që lejuan dhe që kryen shkelje kushtetutare, një ditë do të përgjigjen para drejtësisë. Ne, si Këshill i formuar nga iniciativa e një numri të konsiderueshëm teologësh të vendit, na ngelë që të ngrisim padi si dhe t’i bashkangjitemi iniciativave të grupeve të qytetarëve që do të ngrisin procedurë gjyqësore kundër shkelësve të Kushtetutës së BFI-së.
Meqë këta shkelës nuk pranojnë të debatojmë publikisht dhe të zbardhen të gjitha anomalitë që ndodhën në BFI, meqë kjo “pari fetare” frikësohet nga debatet, obligim ky kushtetutar, atëherë, ngel që sqarimet të bëhen para organeve të drejtësisë.
BFI-ja duhet të kthehet në binaret e veta. Devijuesit duhet të largohen dhe të ndëshkohen. Fundja ky është edhe detyrim dhe obligim islam.

Këshilli për Mbrojtjen e Kushtetutshmërisë së BFI në RMV
Shaban Aziri, kordinator
Eset Shaqiri, zv/kordinator
Mirdi Brao, zv/kordinator

Për sqarime më të hollësishme kliko linkun