Afrim Tahiri: BASHKËJETESA NUK SIGUROHET VETËM PËRMES REKLAMAVE



Intervistë/ Afrim Tahiri, Sekretar gjeneral i Bashkësisë Fetare Islame

Ministria për Transport dhe Lidhje nuk po do që të shpallë tender për ta blerë parcelën në Kala, mu pranë ambasadës amerikane. Sipas të gjitha gjasave, do ta kemi shumë të vështirë për të blerë pronë shtetërore, ashtu siç e kemi shumë të vështirë edhe për ta kthyer pronën tonë të nacionalizuar. Shteti nuk po na jep leje që të ndërtojmë në atë lokacion, kurse Bashkësia fetare Katolike dhe Hebraike i morën lokacionet e kërkuara.

Si Sekretar gjeneral i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni, Afrim Tahiri tashmë shtatë vite me radhë po i kordinon të gjitha aktivitetet në relacion reis-shërbimet fetare në BFI, çështjet dhe problemet lidhur me arsimimin, kulturën, sistemin informativ, thotë që prioritet e ka ta stabilizojë jetën fetare përmes respektimit të të drejtave të të gjithë bashkësive fetare në vend. BFI e bojkotoi Konferencën e tretë ndërkombëtare për dialog ndërkonfesional në Shkup, sepse shteti po i injoron kërkesat e saj për rindërtimin e Xhamisë së Çarshisë në Prilep, për ndërtimin e xhamisë së re në Llazhec të Manastirit si dhe për rikthimin e pronës që u takon sipas ligjit për denacionalizim.


Çka ju zemëroi aq shumë sa që ta bojkotoni edhe Konferencën e tretë ndërkombëtare për dialog ndërkonfesional në Shkup, që u mbajt para dy jave?

Për dallim prej dy Konferencave të para, njëra më vitin 2007 e tjetra më 2010, ku patëm pjesëmarrje aktive, sivjet Konferencën e bojkotuam që në fillim të aktiviteteve për organizimin e saj. Çështë e vërteta, ne edhe në fillim të Konferencës së dytë patëm vërejtjet tona si dhe konsultime me Qeverinë e Maqedonisë, respektivisht me Ministrinë e Kulturës, për atë se si të arrijmë deri te leja për rindërtimin e Xhamisë së Çarshisë në Prilep, për ndërtimin e xhamisë së re në Llazhec të Manastirit si dhe patëm disa kërkesa të tjera. Por, edhe pse nuk ka kurrfarë pengese juridike, shteti edhe më tej refuzon që të na i plotësojë kërkesat e arsyeshme. Nuk na lejon që ta fillojmë rindërtimin e Xhamisë së djegur në Prilep, e cila është e mbrojtur si monument kulturor, kemi edhe një marrëveshje me Drejtorinë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, e cila obligohej që të nisë me punë për rindërtimin e xhamisë që më vitin 2010. Për këtë qëllim ne ofruam edhe donacion për fazën e parë të rekonstruimit dhe, ky financim sapo hyrë në xhirollogarinë e tyre, përfundoi gjithçka tjetër! Punët edhe më tej kanë ngelur në vendnumëro, dhe kjo na detyroi që ta bojkotojmë Konferencën e sivjemë. E njëjta gjë do të ndodhte edhe më vitin 2010, por, me ndërmjetësimin e ambasadorit të atëhershëm amerikan, z. Filip Riker, e zbutëm qëndrimin dhe erdhëm deri te një marrëveshje. Tashmë na ka humbur çdo durim dhe, nëse në afat sa më të shkurtër shteti nuk fillon që t’i realizojë premtimet, BFI përgatitet që ta padisë edhe në gjykatat ndërkombëtare.

Sa xhamia të reja po ndërtohen për momentin dhe ku?

Po ndërtojmë gjithandej ku besimtarët kanë nevojë. Ne nuk kemi probleme me ndërtim të objekteve fetare. Nuk na pengon fakti që në Aerodrom në çdo hap po ndërtohen kishat, por reagojmë për faktin që Komuna nuk na lejon që ta ndërtojmë vetëm një xhami në lagjen Lisiçe, ku besimtarët tanë me decenie po udhëtojnë me kilometra të tërë që të arrijnë te xhamia më e afërt. Nuk jemi që me çdo çmim të ngriten objektet fetare, por duhet të mendojmë edhe për besimtarët në ato vende ku ka nevojë, t’ua krijojmë kushtet që t’i kryejnë obligimet fetare. Xhamitë po i ndërtojmë në pronat tona, ndërsa shtrohet pyetja se në cilën pronë po ndërtohen kishat?!


A keni gjetur zgjidhje për Burali Xhaminë në qendër të Shkupit?

Qysh më vitin 2007 kemi shtruar kërkesë deri në pushtetin qendror, në atë të Qytetit dhe në pushtetin lokal, por, deri në zgjedhjet parlamentare nuk patëm kurrfarë përgjigje. Tani, për herë të parë Qeveria na ka premtuar se në afat sa më të shkurtër do të kërkohet një zgjidhje për ndërtimin e Burmali Xhamisë. Këto ditë do të vendosim se kur do të ulemi dhe zgjidhjet për këtë qëllim t’i nxjerrim në tavolinë.

A e keni marur lejen për ndërtimin e rezidencës në Kala të Shkupit?

Kemi paguar për ndryshimin e Planit detal urbanistik me qëllim që të mundemi ta ndërtojmë rezidencën tonë në Kala, në vendin që gjendet fare pranë ambasadës amerikane. Aty kemi tyrbe ndaj dhe e kërkojmë po atë lokacion, por assesi nuk po ia dalim që ta marrim lejen, edhe pse për një gjë të tillë tashmë nuk ka kurrfarë pengese ligjore. Ministria për Transport dhe Lidhje nuk po dëshiron që të shpallë tender për ta blerë parcelën në Kala, mu pranë ambasadës amerikane. Sipas të gjitha gjasave, do ta kemi shumë të vështirë për të blerë pronë shtetërore, ashtu siç e kemi shumë të vështirë edhe për ta kthyer pronën tonë të nacionalizuar. Kishës Katolike shteti ua dha lokacionin në Vodno, lokacion të ri mori edhe Bashkësia hebraike, vetëm neve nuk po na jepet leja që të fillojmë me ndërtimin e rezidencës sonë.


Keni kërkuar ndihmë nga shteti që t’ju mbrojë nga vehabistë, për të cilët keni thënë se i kanë uzurpuar tre xhamitë kryesore në Shkup?

Sipas institucioneve shtetërore, vehabistë nuk kemi në shtet, ndaj dhe nuk kemi se çka të komentojmë për diçka që nuk ekziston!

Ç’mendim keni për “Shkupin 2014”

Projekti në fjalë është monoetnik dhe monofetar. Kemi pasur një sërë vërejtjesh rreth këtij projekti. Në këtë mënyrë nuk do t’ia dalim që të ndërtojmë shoqëri të shëndoshë. Këtë duhet ta kenë të qartë që të gjithë në këtë shtet.

A kemi bashkëjetesë në praktikë apo vetëm deklerativisht?

Janë të kota deklaratat me plotë bashkëjetesë e cila nuk haset askund në realitet. Ne, realisht nuk ia dalim që të bashkohemi të paktën në një ndeshje futbolli. Ky është imazhi i shtetit, fatkeqësisht. Janë të kota reklamat në “CNN” për promovimin e shtetit sepse askush nuk do të vie të investojë në vendin ku nuk ka bashkëjetesë në mes të komuniteteve. Sa na përket ne, asnjëherë nuk do të pajtohemi me asgjë që nuk shpreh respektim të ligjeve dhe të marrëveshjeve. Në këtë drejtim, së pari duhet të veprojnë institucionet qeveritare, pastaj bashkësitë fetare dhe në fund çdo besimtar në vend. Në praktikë duhet të dëshmohet një kulturë më e theksuar e mirëkuptimit të ndërsjellë. Politika në vend se të na e provokojë dhe të na e shkatërrojë bashkëjetesën, duhet të angazhohet për një afrim sa më të ngjeshur të të gjithë bashkësive fetare në Maqedoni. Ky është realiteti dhe ikje prej tij nuk ka dhe nuk mund të ketë!

(Milena Gjorgjievska/ “Vest”, 25-26 maj 2013/ faqa 11, 12, 13)