Fis i kyçur në arkivolin e harresës


Pa i dedektuar defektet e shoqërisë, sikundër, pa i kqyrur plagët e trupit, nuk do të mund ta aplikojmë dhe ta përdorim kurën e saktë. Pa qenë të hapur e të sinqertë me vetëveten dhe me shoqërinë, nuk mund të dalim në fund të nderuar. Lumë ata që dalin “të nderuar në sy të Allahut,”69:33

 

Shkruan Afrim Tahiri


Këto ditë kam lexuar nja dy-tre shkrime nga autorë të nderuar e që i njoh mirë! Shkrimet e tyre reflektojnë zhgënjim, hidhërim, pezëm, mospajtim, revoltë, qortim, kundër institucionit hoxhë që e kemi me bollëk këtu në Maqedoninë e Veriut! 


Pse ky qëndrim kaq nihilist në raport me hoxhallarët! Ku çalon problemi! A kuptohet drejtë nocioni hoxhë! Çka do të thotë hoxhë. Cilat janë obligimet dhe cilat janë detyrat konkrete të hoxhës! Pse sot nuk kemi hoxhë të kalibrit të Hoxhë Tahsinit, të Hoxhë Vokës, Hoxhë Vehbi Dibrës, Hoxhë Sherif Langu, Ibrahim Dalliu, Mulla Idriz Gjiani e një varg të tjerësh që lanë gjurmë si në historinë islame të trojeve tona ashtu edhe në historinë kombëtare! Dhe, kur ta mendoshë, të gjithë këta personalitete historik, këta intelektualë të devotshëm, dolën e vepruan në periudha më të rënda të historisë së popullit tonë.


Këta HOXHALLARË kishin vizion, këta personalitete e dinin se nuk e kishin mision vetëm të mësuarit e abdestit dhe të faljes së namazeve; këta burra të dheut kishin ideal; e dinin fort mirë që, të qenurit hoxhë, do të thotë të jeshë prijës i një safi, i një xhemati, i një katundi, i një lëvizje kombtare; e dinin fort mirë se, të qenurit hoxhë, do të thotë çuarje në vend të amanetit të Zotit; e kishin shumë të qartë se, të qenurit hoxhë, do të thotë të jeshë pararojë e pathyeshme e parimeve të fesë, zbatues i paluhatshëm i Ligjeve të Zotit, respektues i denjë i institucioneve fetare, luftëtar i pathyeshëm i idealeve kombëtare; ata ishin më se të bindur se, të qenurit hoxhë, do të thotë të mos jeshë shërbtor i armikut, do të thotë ta kultivoshë të mirën, dashurinë për fe e për atdhe, dhe ta luftoshë pa kompromis çdo kolaboracionist i cili pret kundërshpërblim avancimin në karrierë si dhe një grusht metalikësh të pistë.


A i kanë këto sifate hoxhallarët tanë sot, këtu, në Maqedoninë e Veriut! Nuk është mirë të gjeneralizohen! Ka, pa dyshim, madje shumë të mirë, shumë të dashur, shumë të respektuar por, fatkeqësisht, të ngulfatur e të djegur nga “kolegët” e tyre të diskutueshëm, nga ata që e kanë njollosur deri në turpësi këtë profesion kaq të shenjtë.


Vetëmse, gjithnjë ngelë i pakuptueshëm mosreagimi i tyre, ngelë e pakuptueshme heshtja e tyre, ngelë i pakuptueshëm rehatllëku i tyre karshi dukurive që kanë pllakosur mbi myslimanët tanë si dhe mbi islamin në këtë nënqiell, duke na çnderuar deri në palcë dhe, me këtë, duke na i mbyllur të gjitha shtigjet për të dalur të pastër e të ndershëm në sy të Allahut të Gjithëdishëm! 


Për momentin, në ofensivë është një “komunitet” hoxhallarësh shumë akitivë si dhe një komunitet tjetër hoxhallarësh tepër pasivë të lidhur me pranga të shantazhit.


Njoh shumë, shumë, shumë “hoxhallarë” të sotshëm artificialë të çertifikuar nga një rus bodrumeve të nëntokës siriane! Njoh “hoxhallarë” të çertifikuar falls edhe nga një rus tjetër që bënte jetë katakombëve egjiptase! Ky lloj hoxhallarësh janë në ofenesivë, të trajnuar e që menaxhohen nga soji tjetër i “hoxhallarëve” të çertifikuar nëpër shërbime të llojit të UDB-së.


E gjatë është lista e këtyre “hoxhallarëve” të çertifikuar me diploma false e të kontrabanduar në mesin e xhematlinjëve tanë, të cilët, do të gjejnë rehatinë e vet shpirtërore vetëm pasi të çlirohen prej tyre, duke ua publikuar emrat, mbiemrat, veprimtarinë dhe “shkollat” prej nga kanë dalur! Mbase edhe së shpejti mund të botohet kjo listë e gjatë, vetëm për hirë të xhematlinjëve tanë të devotshëm. Sepse, nuk e meritojnë që të “drejtohen” prej hoxhallarëve të cilëve nuk po ia dalin t’ua gjejnë imanin! Ua kanë gjetur “shkollat”, ideologjitë, misionet, çertifikuesit kontrabandistë por, hala nuk o arrijnë t’ua gjejnë imanin! Po pyesin: bre, a kanë iman a jo!? Me shall po, me xhube po, me kravatë po, të bukur sa të duash, të “mençur” me bollëk, por, problem – si t’ua gjeshë imanin!


Fatkeqësisht, sot kemi edhe hoxhallarë të atillë që me vullnet janë kategorizuar secili ku ka gjetur interesin e vet meskin!


Kemi “hoxhallarë” të Aleancës e të Alternativës që paguhen nga Turqia por edhe nga Irani!


Kemi hoxhallarë të LSDM-së, BDI-së e të Besës që paguhen nga Arabia Saudite!


Kemi “hoxhallarë apartiakë” që paguhen nga Izraeli e nga Pakistani, nga Avganistani e nga Rusia që, përgjithësisht, janë logjistikë e “ushtrisë së djallit”!


Është i pamohueshëm fakti që, tërë ky aktivitet ushtrohet fshehurazi, është sekret publik pagesa e tyre nga këta qendra dhe, së këndejmi, është i pamohueshëm edhe fakti se, do t’i shërbeshë me patjetër atij që të paguan “fshehurazi”. 


Të paguan UDB – UDB-së do t’i shërbeshë, pa dyshim! Nuk ka paga pa raportime mujore e vjetore për aktivitetet që i ke kryer e me të cilat ke qenë i ngarkuar! Një listë e hoxhallarëve të paguar nga Arabia Saudite, ka ekzistuar edhe në BFI dhe, ka qenë njeriu i caktuar që i ka mbledhur dhe që i ka dërguar në qendrat saudite raportet e këtyre hoxhallarëve për aktivitetet që i kanë kryer në përhapje të ideologjisë së atij që ka paguar!


Vetëm këto “digastere të ushtrisë së djallit” mundet që të urdhërojnë që, brenda natës të tubohen “këlyshët” e vetë dhe, të komplotojnë e të kryejnë puç të heshtur, duke ua garantuar paraprakisht heshtjen e të gjithë “hoxhallarëve” që jetojnë e veprojnë nën peshën e papërballueshme të shantazhit.


Deri te një mbledhje ka procedurë, ka përgatitje, ka faza, ka sërë elementesh që i japin peshë dhe legjitimitet atij takimi, asaj mbledhje. Me urgjencë e me një urdhër mund t’i tubojë vetëm shërbimi sekret, i cili, natyrisht, ka arsyen dhe strategjinë për atë mbledhje që do të rezultojë me komplot të sukseshëm.


Tani jemi në fazën kur po thirren dhe po urdhërohen hoxhallarët që të shkojnë te “reisi” dhe t’ia urojnë, t’i shprehin përkrahje, ngjashëm si Stanko Dragoviqi! Pra, hoxhallarët e depersonalizuar duhet të shkojnë e të rrëfehen te “kryepari” i tyre dhe të nisin të ndërtojnë një komunitet të ri – komunitetin e “të ndershmëve”, të pandershëm në sy të Allahut të Gjithëdishëm! Deri sa të binden hoxhallarët që të solidarizohen me misionin e “reisit”, ky ka se kë të ftojë dhe ta regjistrojë si “aktivitet të bujshëm”; do ta thërrasë dajën, kushëririn, axhën, nipin! Takimet familjare, takimet me nxënës, me studentë, me të punësuar, i regjistron publikisht, si aktivitete! Si ndryshe të preket fundi i turpit?


Askujt, asnjë hoxhe të ndershëm nuk i shkohet në atë “shtëpi” ku shkilet Kushtetuta, ku injorohen aktet normative, ku refuzohen parimet islame, ku tradhëtohet tradita dhe e kaluara, ku instalohen “gjeneral e oficirë të ushtrisë së djallit”, ku legalizohet hajnia, tradhëtia dhe shëmtia.


Hoxhallarët, si asnjë profesionist tjetë, kanë forcën, kurajon dhe vullnetin për t’i këputur prangat e shantazhit dhe, kur të vie ky çast, nuk ka digë që mund t’u dalë përballë; nuk ka shërbim sekret, pushtet e parti që mund t’i shantazhojë, t’i frikësojë, t’i heshtë. Për hoxhallarët, gjithnjë e mbi gjithëçka ka qenë feja dhe një popull i denjë për atë fe. Honxho bonxhot ngelin vetëm si fjalë goje, ngelin pa nam e nishan, fis i vdekur e i kyçur në arkivolin e harresës...  


(Autori është drejtues i Lëvizjes Myslimane për Reforma në BFI të RMV-së)