A ka turpi brirë


“Sekretari gjeneral” i Shaqir Fetait, Irsal Jakupi, ka nisur të merret me reklama. I përzgjedhur si figurë mediale për reklama, ai tashmë ka nisur të reklamojë vaksinat kundër Kovid 19. Nga ana tjetër, në vend të nënës së vdekur, familjes së përvëluar i ofrohet arkivoli me “çiçko Dragin” brend, nga Prilepi, dhe asnjë reagim nga BFI-ja e Shaqir Fetait. Shumë rënd ka pllakosur harami mbi BFI-në e Shaqir Fetait, aq rëndë sa, nuk mund të bëjnë “as geg as mrrek”
Nga Jasir Jashari

A ka gjë më të shenjtë se nëna për fëmijët? A ka gjë më të shenjtë se gruaja për familjen e devotshme, për shtëpinë e shëndoshë. Kur vdes nëna, thonë, tërë shtëpia ngelë jetim! Feja islame nënave ua ka caktuar vendin më prestigjioz në mes të njerëzimit.
Vdes nëna, si ajo e familjes në fshatin Vrapçishtë të Gostivarit dhe, kur e marrin për t’ia kryer ceremonitë fetare, shohin që në arkivol, të cilin ia kanë sjellë dikush nga agjencitë e shërbimeve të varrimit, nuk është nëna e tyre por një burrë, një i ndjerë, maqedonas nga Prilepi! Vetëm një dhembje e fuqishme e së bijës, ka bërë që mos të kryhen ceremonitë fetare isame ndaj një burri përkatës i fesë tjetër, ndërsa, po ashtu, ka shpëtuar që gruaja të varroset me ceremoni e rite fetare të një feje tjetër, e në varreza të huaj.
A ka më tmerr se kjo! A duhet të mbajë përgjegjësi dikush? A duhet që e tërë Bashkësia Fetare Islame të ngritet në këmbë dhe, nëse nuk janë vetë fajtorë, të kërkojnë fajtorin, të kërkojnë masa ndaj fajtorit, të kërkojnë zgjidhje të tjera, duke ua hequr monopilin agjencisë për shërbime të varrimit, siç është “Buteli”-i!
Nuk u shënua në asnjë fb, si zakonisht, as nga BFI e as nga Shaqir Fetai, se në ceremoninë mortore të nënës nga Vrapçishti morën pjesë edhe përfaqësues nga BFI-ja A thua pse? Janë vetë fajtorë? Apo, nuk patën fytyrë dhe nuk patën guxim, sepse në atë vaki mortore, me siguri që Shaqir Fetai do të bombardohej për heshtjen hipokrite karshi një tragjedie të dyfishtë.
Dikush deshti që familjes së mrekullueshme islame nëna t’iu vdesë dy herë brenda 24 orëve. Vdekja e natyrshme, ajo që vie nga Allahu xhsh., nuk ka problem, e kemi hak, por ama, të toleroshë e ta shkaktoshë vdekjen morale të merhumit, kjo nuk tolerohet! Një institucion serioz, një institucion fetar, i pavarur e i pakapur nga institucionet shtetërore dhe nga dora e pushtetit, me rasin e nënës nga Vrapçishti, do ta mbështeste shtetit për murë dhe do ta detyronte në hapa konkretë:

– ta thyej monopolin e agjencive për shërbime varrimi, të lejojë dhe të detyrojë me ligj të vçantë themelimin e agjencive përkatëse komunale të cilat ceremonitë do t’i kryejnë sipas përkatësisë fetare të të vdekurve;

-të ndërpriten të gjitha rryshfetet për ta nxjerrë nga bodrumet e spitaleve të vdekurin (paguhet doktori, paguhet infermierja, paguhet portiri)

-të ndërpriten të gjitha pagesat ekstra që i bën një familje myslimane e cila paguan anëtarësinë vjetore (hoxha paguhet në mevlud, hoxha paguhet në ceremoni mortore, në ceremoni martesore, në syneti etj.) Anëtarësinë nuk e paguan si kontribut për t’ua siguruar imamlerëve rrogat por, paguan që një ditë t’i ketë të disponueshme të gjitha shërbimet dhe ceremonitë fetare pa pagesë, si në Turqi.)

-arkivolet e të vdekurve myslimanë të jenë me xham te fytyra, sepse, nëpër shtëpitë myslimane, sipas traditës, të vdekurit i zbulohet fytyra me qëllim që të përshëndeten me të gjithë ata që dëshirojnë të përshëndeten për herë të fundit;

-agjencitë përkatëse të pajisen me transportues adekuat e profesional dhe jo të barten arkivolet me turlifarë furgoni lakrash, patatesh apo skelesh për ndërtimtari;

-të vdekurit t’i ruhet dinjiteti deri në hudhjen e llopatës së fundit të dheut mbi varr!

Nëna e ndjerë nga Vrapçishti duhet të shërbejë si pikënisje për arritjen e një mrrëveshje me organet shtetërore, apo edhe rasti të ndjehet si thikë në kockë dhe të shprehen të gjitha reagimet deri në një siguri të plotë se në të ardhmen nuk do të ndodhë më një problem i tmerrshëm si ky që ndodhi në Vrapçisht të Gostivarit.
Të gjithë subjektet politike të bllokut mysliman, tërë BFI-ja, me të gjitha organet dhe institucionet e saj, i kanë borxh, të paktën, një kërkim falje, kësaj familje, një zotim para kësaj familje se do të jenë këmbëngulës në gjetje të mundësive ligjore, në zgjidhje institucionale të problemeve të tilla.
Në Gostivar dhe gjithandej, pas këtij lajmi, myslimanët që kanë varrosur të dashurit e tyre që vdiqën nga virusi e të mbylllur hermetikisht nëpër sanduqe, po shprehin pasiguri të plotë nëse i kanë varrosur njerëzit e vet apo dikë tjetër! Skandal i tmerrshëm, të cili dikush po dëshiron ta gëlltisë si një farë luledielli të çëruar! Turp! Ky është skandal dhe jo, kush me kë po bën koalicione partiake në prag të zgjedhjeve lokale! Të na varrosen të dashurit nëpër varreza të huaja dhe të huajt t’i varrosim nëpër varrezat tona e me ceremoni islame?! Na fal, o Zot!