Kur piromani shpreh ngushëllime


Në Tetovë, derisa si rrjedhojë e fushatave të pista politike po asfaltohen rrugë lokale që fill pas zgjedhjeve sërish do të prishen, ndodhi një tragjedi e paparë në botë: të sëmurit nga Covid 19 u dogjën për së gjalli! Për shkaqe akoma të panjohura Spitali Modular u përfshi nga flaka me ç'rast u dogjën 14 pacientë ndërsa u plagosën shumë të tjerë që mund ta shtojnë këtë bilanc tragjik.

Për këtë ngjarje informuan edhe mjetet më prestigjioze në botë. Shtetet e ndryshëm shprehën ngushëllime për familjarët e viktimave duke u lutur për shërim sa më të shpejtë të të plagosurve.

Përmes një komunikate cinike opinioni u informua se, edhe "rijaseti" i Shaqir Fetait qenka çuar peshë. Komplet "rijaseti" qenka mbledhur në Tetovë dhe paska mbajtur një mbledhje me dedikim! Aty paskan vendosur që t'i shprehin ngushëllimet e tyre, paskan ndarë nja 5 mij euro të cilat do t'u shpërndahen familjarëve të viktimave, shpenzimet e varrimit t'i mbulojë Myftinia e Tetovës dhe, lutjet e ditës së xhuma në të gjitha xhamitë e vendit t'i dedikohen viktimave!

Vendim më të poshtër do të mund të bluante vetëm truri dhe shpirti cinik i Shaqir Fetait.

Në Tetovë, në vendin e ngjarjes, shkohet për të insistuar që sa më parë të zbardhet ngjarja. Në Tetovë shkohet për të kërkuar me ngulmë që sa më parë të kapen fajtorët shkaktarë të kësaj tragjedie që tronditi mbarë botën. Në Tetovë shkohët për të kërkuar përgjegjësi prej të gjithë atyre faktorëve që lejuan të ndodhe kjo tragjedi. Në Tetovë shkohet për ta gjetur lidhshmërinë e aktit terrorist në prerjen e paradokohëshme të gypave të Oksigjenit në spitalin e Tetovës me këtë  ngjarje tragjike në Spitalin Modular. Në Tetovë nuk shkohet për t'u shpenzuar 7 mij euro për një mbledhje propagandistike, ndërsa familjarëve të prekur nga kjo tragjedi, t'u shpërndahen gjithësej 5 mij euro.

Shaqir Fetai në Tetovë shkon për ta neglizhuar përgjegjësinë politike e shtetërore, duke bërë humanitet postraumatik. Me raste të tilla nuk bëhet propagandë për ndreqjen e imazhit të prishur e të nxirë. Pse Shaqir Fetai mundohet që ta hesht rastin dhe t'i amnistojë të gjithë fajtorët nga përgjegjësia. Familjarët e prekur nga kjo tragjedi, pra, edhe të plagosurit, duhet të ndihmohen përjetë nga shteti. Shpenzimet e varrimeve duhet t'i mbulojë shteti e jo Myftinia e Tetovës, sepse me as një veprim nuk është fajtore në shkaktimin e kësaj tragjedie. Pse kursehen dhe ndihmohen kot e kot organet gjegjëse shtetërore?! ShaqirF etai nuk mund ta zbusë situatën e nderë duke e fshehur përkohësisht fajësinë e atyre subjekteve politike që e instaluan në krye të BFI-së për të tilla maskarade e cirkuziada, si kjo mbledhje e "rijasetit" të tij në Tetovë. /LMR në BFI të RMV/