“Arkivi” si përmendore e naivizimit


Shaqir Fetai, në fillimet e tij karrieriste prej instalacioni nga pushtetit politik, pati proklamuar me pompozitet se do të themelojë “institut të arkivit të BFI-së”! Pataj përjetoi një lumë kritikash për diletantizmin e tij në dallimin e institutit prej arkivit! Dhe, ja, më në fund, Shaqir Fetai “themeloi arkiv” duke e manifestuar paturpësisht përçmimin më të madh që dikush ia ka bërë institucionalisht materialit arkivor të BFI-së


Nga Afrim Tahiri



Shaqir Fetai, projeksioni më dështak i pushtetit politik, na e paska kryer një “reformë” në BFI, duke “e themeluar institucionin e arkivit të BFI-së”! Çka është arkivi si institucion? Pse themelohet? Kush e themelon? Kur themelohet? A ka pasur Shaqir Fetai ndonjë vizion mbi arkivin i cili i duhet BFI-së?

Shërbimi arkivor ka ekzistuar dhe ka funksionuar në BFI, gjegjësisht nëpër organet dhe institucionet e BFI-së, sepse pa këtë shërbim nuk ka profesionalizëm, nuk ka seriozitet në punë, nuk ka përkushtim për një jetëgjatësi infinitive të punës institucionale. Tubimi i informacionit, i të dhënave historike, i dokumentave në një vend, nën një çati, është i domosdoshëm, është punë e dinjitetshme. Por, kur bëhet ky tubim, si dhe ku bëhet? Në një objekt me konsrukcion metalik? Bëhet nga njerëzit e papërgjegjshëm, nga matrapazët, nga kompilatorët e fakteve? A duhet në atë arkiv të jetë këndi i të parëve të BFI-së, biografia, veprimtaria dhe kontributi i tyre? A do të jetë aty si relikt i çmueshëm edhe periudha dhe personaliteti i ish-reisul ulemasë? A do të përfshihen edhe të dhënat mbi komplotin dhe tradhëtinë e Shaqir Fetait që e ndërmori në BFI me qëllim të degradimit dhe shkatërrimit të këtij Institucioni? A do të jenë të dhënat dhe kontributet e atyreve që kanë kaluar nëpër këtë Institucion, i atyreve që janë dëbuar nga ky Institucion, faktet, argumentat, arsyet e dëbimit...


Çka është arkivi


Arkivi është institucion i rëndësishëm i cili themelohet për evidentimin, pranimin, ruajtjen, konservimin, rregullimin, sistematizimin, digjitalizimin dhe publikimin e lëndës arkivore; të mundësojë dhe të lehtësojë shfrytëzimin e lëndës arkivore për hulumtime shkencore si dhe për nevoja tjera të cilat janë në interes për organet, organizatat, institucionet, personat civil-juridik dhe qytetarët. Arkivi, shprehur metaforikisht, paraqet memorien e kombit, të cilin nuk mund ta “redaktojë” dhe ta retushojë kurrnjëfarë diktatori, aq më pak Shaqir Fetai.

Arkivi, si institucion më vete, ushtron veprimtarinë e vet publike në pajtim me ligjin, në pajtim me statusin, me aktet normative të themeluesit si dhe në pajtim me rregulloren e hartuar nga themeluesi. Pa dyshim, këto akte juridike të çdo arkivi si institucion më vete janë të standardizuar në nivel ndërkombëtar.


Përse themelohen arkivat


A mund të themelohen arkivat nga njerëz që nuk ia kanë haberin se çka është arkivi? Përse duhen ato? A duhen vetëm sa për ta shuar paksa etjen e një mendjemadhësie hipokrite? Lënda arkivore është tërë dokumentacioni, i tërë materiali burimor dhe i reprodukuar (i shkruar, i vizatuar, i shtypur, i fotografuar, i filmuar, mikrofilma, shënime të lexuara me makinë, shënime digjitale,datoteka, duke përfshirë edhe mjetet për shfrytëzimin e tyre). Pa dyshim, meqë lënda arkivore ka rëndësinë  historike, kulturore, shkencore dhe ka cilësinë e monumentit të kulturës, ruhet në mënyrë të përhershme.


A ka një aparat zjarrfikës në “arkivin” e Shaqir Fetait


Meqë lënda arkivore na e paska vlerën e paimagjinueshme, atëherë, a mund të lejojmë që një material i tillë të ruhet në një konsrukcion metaik me dy dhoma, e me një bodrum që gjithmonë rri ngulfatur në lluc e në ujëra të zeza, në pluhur e në “pëlhurë” merimangash? Dokumentet shekullore të BFI-së do të përfshihen vetëm në këto dy dhoma metalike? A e di Shaqir Fetai se, arkivi me konstrukcion metalik është vendi ideal për shkatërrimin dhe zhdukjen e tërë materialit arkivor? Arkivat janë institucione të një rëndësie që kanë institucionet shtetërore, ndaj dhe ruhen dhe janë nën vëzhgim të të njëjtave masa që i kanë edhe intitucionet shtetërore! Arkivat kanë të instaluar sistemin automatik të sigurisë dhe të parandalimit nga zjarret. A ka qoftë edhe vetëm një aparat për fikjen e zjarrit në “arkivin” e Shaqir Fetait?

Cili arkiv publik në botë është i konceptuar pa vendin e përshtatshëm për shfletim të dokumentave, pa leximoren, pa kartotekë ku evidentohen të gjithë qytetarët që kanë kërkuar për studim qoftë edhe vetëm një dokument; pa aparat fotokopjues, kompjutorë në leximore si dhe “reflektorët” për fotografi, pajisje këto elementare që i duhen arkivit bashkëkohor. Apo, Shaqir Fetai ka vendosur që, cilido që kërkon dokumenta për hulumtim apo studim, mund t’i marrë dosjet me vete në shtëpi dhe, varësisht prej ndërgjegjes së tij mund t’i kthejë, t’i dëmtojë apo edhe t’i zhdukë! 

Shaqir Fetai duhet të dijë se të drejtat e përdorimit të lëndës arkivore janë të parapara me ligj. Në Maqedoninë e Veriut hulumtimi dhe shrytëzimi i lëndës arkivore, komunikimi i dokumentave publike dhe i mjeteve të kërkimit, që nuk cënojnë interesin shtetëror e publik, që nuk keqpërdoren për të cenuar subjektin, bën pjesë  në të drejtat themelore të qytetarit, të garantuar me ligj për informim të lirshëm dhe të papenguar, dhe, si e tillë, në parim nuk mund të kufizohet. 

A mund të jenë lëndë arkivore, bie fjala, kutia e duhanit, cigarellëku, unuri, plisi, veshjet kombëtare, librat e vjetër, tespihët shumë të vjetër, dorëshkrimet qindvjeçare, apo, këto relikte i takojnë muzeve dhe bibliotekave nacionale! Vetëm dosjet e xhamive në Maqedoninë e Veriut do të kërkonin rafte gjigante të shtrira në një hapësirë hermetikisht e mbyllur nga ndikimet e kushteve klimatike, kushteve të brendshme si dhe me një sistem të përsosur të sigurisë dhe të mbrojtes. A mund të themelohet arkivi sa për të ruajtur fleta nga “kaca pranon” dhe për të dëshmuar Shaqir Fetai se sa pak ka harxhur dhe me sa “nikoqirllëk” ka drejtuar BFI-në? Fletat e tilla nuk kanë kurrfarë vlere arkivore!


Klasifikimi i dokumentave


Klasifikimi i dokumentave sipas periudhave të caktuara është punë jetike e arkivave, kurse klasifikimi i dokumentave sipas rëndësisë është punë rutinë e cila përcaktohet me rregullore të veçantë!

A ka rregullore të veçantë për klasifikimin, kategorizimin dhe sistematizimin e dokumentave ky “arkiv” i Shaqir Fetait? A ka rregullore të veçantë se si përdoret një dokument i arkivit; mbi bajtjen shënim të vizitorëve, qëllimin e vizitës!

A ka rregullore mbi evidentimin e fondit të dokumentave dhe të lëndës tjetër arkivore, mbi kategorizimin e tyre, mbi numërizimin dhe katalogizimin e tyre, mbi bibliografinë e tërë fondit arkivore?

A janë sjellë vendime nga organi më i lartë për mënyrën e klasifikimit të dokumentave sipas vlerës, rëndësisë dhe peshës historike që kanë! A ka vendim mbi atë se cili dokument do të ruhet dy vjet, pesë, dhjetë vjet dhe cili dokument ruhet përjetësisht!


Arkivi pa akte juridike


A ka “arkivi” i Shaqir Fetait ndonjë akt juridik, rregullore të përgjithshme, ndonjë dokument i cili do të shpjegonte mbi rolin, detyrat dhe objektivat e një institucioni të tillë?

Arkivit i duhet një akt juridik, i cili, për arkivin dhe lëndën arkivore, do të përcaktonte:

- statusin juridik të arkivit;

- llojin e arkivit;

- veprimtarinë e arkvit;

- themelimin, organizimin, financimin dhe funkcionimin e arkivit

- lëndën arkivore dhe materialin regjistrues;

- krijimin, ruajtjen, mbrojtjen dhe shfrytëzimin e materialit arkivor;

- përzgjedhjen e lëndës arkivore;

- dorëzimin dhe pranimin e materialit arkivor;

- menaxhimin me arkivin;

- mbikëqyrjen e arkivit;

- kuadrin profesional dhe atë teknik;

Nëse nuk e ka aktin juridik arkivi i Shaqir Fetait, atëherë nuk kemi të bëjmë me subjekt juridik por, thjesht, me një akt të tërheqjes të dosjeve të themeluara nëpër zyre e “sektore” të BFI-së, në një objekt ku zhdukja dhe shkatërrimi i tyre është më i lehtë, më i realizueshëm, dhe me një përgjegjësi formale mbi një person të jashtëm i cili ka punuar në kushte absolutisht më të papërshtatshme “arkivore”, për ç’gjë edhe sanskionet mund të jenë formale! Mbase edhe ky është qëllimi: grumbullimi dhe zhdukja e gjurmëve me pasoja sa me të papërfillshme!

Një arkivi profesional do t’i duhej edhe ndonjë akt juridik i cili do të përfcaktonte definicionin e materialit arkivor, se kush është lëndë arkivore, si krijohet lënda arkivore, çka është materiali regjistror prej nga nxirret materiali arkivor, a është mbështetur iniciativa në ndonjë ligj të vendit i cili garanton sigurinë dhe mbarëvajtjen e punëve arkivore të institucionit privat të Shaqir Fetait, cilit organ i ka kërkuar ndihmë për siguri dhe mbrojtje të arkivit (sepse arkivat mbrohen nga organet gjegjëse të shtetit)! 

Një institucion arkivor profesional do të kishte edhe rreglloren që do të përcaktonte se kush mund të jetë dorëzues i matrialit arkivor dhe kush mund të ishte pranues, si bëhet evidentimi i pranim-dorëzimit të materialit arkivor, cilat janë përgjegjësitë juridike dhe obligimet profesionale të dorëzuesit-pranuesit të materialit arkivor; cilat janë obligimet e dorëzuesit të materialit arkivor dhe cilat janë obligimet e atij që pranon, cilët janë sanskionet juridike të keqpërdoruesve, të atyreve që nuk kujdesen mirë për materialin arkivor si para dorëzimit ashtu edhe pas dorëzimit të dokumentave!

Një institucion profesional e publik, para së gjithash, gjatë themelimit të vet do të duhej të kishte edhe një akt juridik, një rregullore mbi shfrytëzimin e lëndës arkivore! Për çfarë nevojash mund të përdoret materiali arkivor! Kush mund ta përdorë këtë material; cili material mund të publikohet në opinion nga hulumtuesit dhe studiuesit; kush vlerëson se akcili dokument është i interesit të përgjithshëm publik, shkencor e kulturor; kur mund të refuzohet një kërkesë për studimin e ndonjë dokumenti me rëndësi të veçantë. Mbi të gjitha, a ka ndonjë rregullore specifike që do të caktonte kohën se kur do të mund të bëhej objekt studimi një dokument! Arkivat profesionale dokumentet e dorëzuara nuk i japin për hulumtime shkencore pa kaluar, të paktën, një periudhë tridhjetëvjeçare nga dita e dorëzimit të materialit arkivor në “amzën” e vet!

A mund të startojë me punë një “arkiv” pa një akt juridik që rregullon mbikëqyrjen inspektuese nga organi themelues i arkivit? Si bëhet financimi i arkivit? Cilat janë dispozitat ndëshkusese?


Kur inicohet themelimi i institucionit të arkivit


A mund të themelohet një arkiv për shkak të një materiali të pasistemuar arkivor, ndërkohë që nuk ke ngritur ekip të profesionalizuar për një veprimtari aq shumë të rëndësishme për shoqërinë tonë. Çdo themelues i një institucioni të tillë fillimisht do të mbante kurs trajnimi, do të përgatiste kuadrin nga ekspertë të vendit apo edhe nga jashtë! Do të duheshin manuale e proces trajnimi për gjatë kohë para se të inicohej themelimi i arkivit. Ndryshe, jo që do të dilje hipokrit, por, mbi të gjitha, do të bëheshe gaz i botës! Shaqir Fetai futet nëpër zyrat e BFI-së, sheh plotë dosje me materiale, mbase edhe të panevojshme për t’u ruajtur dhe, o burra hajde të themelojmë arkiv, sepse, ja-ja, sa dosje kemi! 

A e njohin të punësuarit në “arkivin” e Shaqir Fetait legjislacionin e vendit mbi arkivat, a e njohin Kodin deontologjik të arkivistëve miratuar nga Ansambleja e Përgjithshme e Këshillit Ndërkombëtar të Arkivave, cilët janë normat tekniko-profesionale për punën me dokumentat administrative dhe arkivore, a e njohin përpunimin tekniko-shkencor të dokumentave që arkivohen, a e njohin ekspertizën e vlerës së ruajtjes së dokumentit, a e njohin komunikimin, shfrytëzimin dhe ruajtjen e dokumentave! A do të dijnë “arkivistët” e Shaqir Fetait që të dallojnë materialin arkivor nga materiali dokumentar!

Ndërtimi i arkivit në një objekt me konstrukcion metalik është vetëironizim dhe tallje me një institucion të tillë, për më tepër, pastaj, mbështetja e rafteve për mure të jashtëm që tërheqin lagështinë dhe thithin ngrohtësinë përcëlluese nga dielli i verës, është veprim për shkatërrim pa lënë gjurmë! Nën kushte të tilla në mënyrë “ideale” mundësohet asgjësimi i dokumentave brenda një kohe të shkurtër, pa i dhënë lllogari askujt, sepse, tani nuk do ta ndëshkojmë shiun apo diellin!


“Reformat” cinike dhe sharlatantese të Shaqir Fetait

 

Thënë shkurt, “arkivi” i Shaqir Fetait është vetëm një propagandë hipokrite personlisht e atij që i duhet për vetëngritjen e moralit që i ka rënë përdhe duke mashtruar e gënjyer se po bën reforma në BFI. Reforma nuk bëhen duke ngritur “institucione” mbi themelet e Institucionit të rrënuar nga “kazmat” e jashtëligjshme që detyrë parësorë e kanë rrënimin e aktiviteteve kushtetuese dhe instalimin e anarkisë mbi logjikën “përçaj e sundo”! Nuk ka sundim mbi një gjë të cilën e ke lënë pa bazament e pa tjegulla mbi kulm! Ka vetëm shfrytëzim i cili sjell degradimin deri në rrënim e shkatërrim total! Tjetër qëllim nuk ka pasur instalimi i Shaqir Fetait nga pushteti në krye të BFI-së!