Editorial: Distancimet telefonike janë hipokrizi


Në BFI-në e Shaqir Fetait punët janë llugë! Shaqir Fetai nuk mund t’i fshehë pakënaqësitë reale përmes “takimeve” dhe “dekorimeve” me turlifarë mahluki! Asnjë problem nuk zgjidhin takimet private të puçistit Shaqir Fetai. Myslimanëve të Maqedonisë së Veriut nuk i hy në xhep asgjë nga takimet e stisura dhe private të Shaqir Fetait. Vetëm Shaqir Fetai mendon se “dekorimet” nga BFI janë “reformë” të Institucionit


Në BFI-në e uzurpuar nga Shaqir Fetai, po vlon! Çdo ditë na telefonojnë për zënka të ndryshme, për sharje e ofendime, na telefonojnë për ngecje të punëve, na flasin për tendenca të turpshme për të manipuluar në emër të islamit, na telefonojnë për panikun e madh që i ka kapur mynafikët dhe hipokritët të cilët janë shumë të vetëdishëm se janë turpi i myslimanëve të Maqedonisë së Veriut. Na telefonojnë dhe kërkojnë ndihmë! Ka edhe nga ato telefonata që kërkojnë shpalosje të strategjisë, kërkojnë të dijnë “planin B”, “planin C” ... të Lëvizjes Myslimane për Reforma në BFI të RMV-së! Insistojnë që ta “spiunojmë” Planin Zhvillimor të Lëvizjes!

Të gjitha këtyre telefonatave u thonë “fërkime”! Nuk janë distancim real, por, thjesht, “distancim telefonik”! Pendesën e pranon edhe Zoti i Madh! Por ka kushte kur “pendesa” pranohet si PENDESË! Pendesa e shprehur në çast, pas një shqetësimi apo nervozizmi si rrjedhojë e ngecjes së përmbushjeve të orekseve personale, thjesht është hipokrizi! Zoti i ka mallkuar hipokritët, ngjashëm si shejtanin!

BFI-ja pa dyshim që u uzurpua turpshëm, me ndihmën e partive politike të pushtetit të cilat pësuan një fijasko të turpshme për ç’gjë merituan edhe mallkimin e Zotit dhe, ata që kanë një gram mend do të pranojnë se tatëpjeta e pushtetit nisi pikërisht në çastin kur i zhytën duart e pista në Institucionin tonë të shenjtë.

Në këtë Institucion sot ka pakënaqësira të mëdha. Ka një vetëdijësim të “aktorëve” të cilët gjithnjë e më shumë po kuptojnë se punët nuk po venë mirë, se këtu ka ngecur gjithçka, madje ka një rrokullisje tatëpjetë në degradim të çdo gjëje që është arritur ndër shekuj e dekada. Mbase Shaqir Fetai e ka edhe detyrë, për ta degraduar Institucionin por edhe për t’i fyer e poshtruar partitë që deshtën ta bëjnë “reis”!

Të pakënaqurit akoma nuk po e kuptojnë se tashmë është koha për distancim publik, sepse, vetëm kësisoj mund të llogariten nesër si pjesë e Lëvizjes Myslimane për Reforma në BFI. Këta të pakënaqur duhet të dinë se, nëse “e kanë bishtin e zënë me derë”, të paktën mund të heqin dorë nga rroga! Rrogën nuk mund të ta japë askush me dhunë, as me kërcënime, as me shantazhe! Të pakënaqurit duhet të dinë se nuk paguhen nga myslimanët që t’i rrinë sus kryekeqbërësit të BFI-së, sepse atë rrogë do ta kenë haram. Me haram nuk mbahet familja, të paktën jo ata fëmijë, ata engjëj që një ditë do të paguajnë shpirtërisht për haramin e baballarëve të tyre.

Asgjë nuk bëhet nëse i kthehet shpina hipokritit dhe degjeneruesit të vlerave islame siç është Shaqir Fetai, në moment mbase edhe mund të përjetohet rëndë largimi nga puna, por ama, secili që refuzon t’i shërbejë shejtanit, ndonëse i dëbuar nga puna, ndonëse pa rrogë, do të ndjehet i lumtur, do të ndjejë rehati të madhe shpirtërore, do të ndjehet i bekuar, do të ndjehet më i fuqishmi i botës! Këtë ndiesi pa dyshim që ia përforëcon Vetë Zoti Fuqiplotë! I Madhi Zot në Kuranon thotë: “Përse ata nuk kthehen me pendesë tek Allahu e t’i kërkojnë falje Atij?! Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë!” (5:74)

Ata që u bënë palë me shejtanin dhe i ndihmuan që të ngjitet në krye të BFI-së, ata që menduan se “ky është ai i duhuri” dhe i shërbyen derisa nuk u vetëdijësuan se “ky i duhuri” qenka katastrofa e Institucionit të shenjtë, pra këta kurrë nuk do ta kenë vonë që të pendohen për gabimin që bënë, të pendohen ekskluzivisht në emër të Zotit dhe vetëm për Zot! Sa më parë që do ta bëjnë publikisht, aq më të vogla do të jenë pasojat mbi degradimin fatal të BFI-së në të cilën ajo është katandisur! /LMR në BFI të RMV-së/