Me rrena nuk shkohet në Xhenet, o Shaqir Fetai

Është e pamundur që të mos rrejë Shaqir Fetai, sa herë që ta hapë gojën, apo sa herë që përpiqet të bëjë lajm sa për vetëlavdërim! 

A ju kujtohet kur thoshte se vendimi për akreditim të Medresesë qenka në Parlament, ndërsa tani informon se miratimi i mendimit të qeverisë për shkollat e mesme fetare, tani do të kalojë në Parlament! Do me thënë, po ikë edhe një gjeneratë me pengesa ligjore për të vijuar shkollimin sipëror! Tash e dy vite rresht i thuhet Shaqir Fetait se ky problem mund të zgjidhet vetëm me vendim të Qeverisë e cila nuk i hy këtij "akcioni" pa një presion të mirëfilltë institucional, kurse Shaqir Fetai nuk e merrte mundin që ta hidhërojë qeverinë që e instaluan në krye të BFI-së, qoftë kjo edhe me "djegie" të gjeneratave të tëra të medresantëve!


Dy-tri deceniet e fundit, Drejtoria e përgjithshme e vakufeve të Turqisë por dhe TIKA, në territorin e Maqedonisë së Veriut kanë kryer intervenime, restaurime e rinovime në dhjetra objekte fetare me rëndësi të veçanta historike e si vlera të trashëgimisë kulturo-fetare! Dhe ky aktivitet është llogaritur ekskluzivisht si aktivitet i institucioneve turke në të mirë të BFI-së dhe, përgjithësisht, myslimanëve të vendit. Intervenimin e Drejtorisë së vakëfeve të Turqisë, Shaqir Fetai u mundua ta paraqesë si meritë e tij personale dhe si aktivitet të tij personal! Paska nënshkruar dy protokole?! Nënshkrimi i çfarëdo dokumenti nga ana e Shaqir Fetait është absolutisht formal, sa për ta "begenisur" edhe të "parin e fesë"! Protokolet zyrtare janë nënshkruar në mes të Institucionit turk dhe Drejtorisë për Trashëgimi Kulturore pa lejen e të cilës nuk mund të ngulet asnjë gozhdë, në asnjë objekt me rëndësi historike e me vlera të trashëguara kulturo-fetare! Në këtë rast, Shaqir Fetai është bira e fundit e kavallit!

Po pse Shaqir Fetai ka shumë qejf që t'i vjedhë aktivitetet e huaja dhe t'i përvetësojë duke i personalizuar?

Shaqir Fetai u ka borxh myslimanëve të vendit t'ju tregojë se cili ishte aktiviteti kriminal i tij që i detyroi arabët të heqin dorë nga projekti disa milion dollarë që do të kalonte vakëf i BFI-së-Myftinisë së Gostivarit! Deshti t'i vjedhë, pa dyshim, ndaj investitori iku tepër i dëshpëruar. Edhe institucionet turke do t'i vidhte Shaqir Fetai për sa fytyrë që ka. Por ama, ja që projektet e institucioneve turke janë rezultat i bashkëpunimit të tyre institucional me institucionet e shtetit, sepse, tashmë Shaqir Fetai është i lexueshëm si "parja e kuqe", dikush nga bota arabe ia vuri myhyrin si hajn i babëzitur! (LMR në RMV)