Editorial: Kur të plasë cipa e turpit


“Rijaseti” i Shaqir Fetait na paska dalur me do tallona të cilat ia drejton opinionit të gjërë me titullin “JINI NË SHËRBIM TË MEDRESES ISA BEU DHE FAKULTETIT TË SHKENCAVE ISLAME”!

Çka është kjo paturpësi e Shaqir Fetait? Si i drejtohet opinionit që të ketë kujdes për Fakultetin e Shkencave Islame të cilën vetë ai e bojkoton tash e një vit, sepse aty na qenka një person (dekani) i cili nuk e do dhe nuk pajtohet me politikat destruktive, me hajninë, me veprimet shkatërruese dhe me poshtërsitë e Shaqir Fetait!

Fakulteti i Shkencave Islame është i akredituar, ai merr financa nga shteti! Është problem më vete frika e Shaqir Fetait për ta nervozuar pushtetin duke i kërkuar buxhet respektiv për këtë Fakultet! Shaqir Fetai e ka më për zemër ta dëmtojë buxhetin e myslimanëve të varfër se sa ta nervozojë shtetin e pasur duke i kërkuar financa respektive për FSHI.

Ai tashmë me pompozitet lajmëroi se “e ka akridituar edhe Medresenë”! Tani financa ka nga shteti! Pse këkon që paratë t’ia mbledhë popullit! Pse nuk thotë që i duhen për rrogën e tij që na e paska më të madhe në vend, në Ballkan e në Evropën Jugperëndimore!

Për cilën Medrese apelon Shaqir Fetai i cili tashmë ka dhënë pëlqimin për themelimin e një “medrese” të re e cila do të akreditohet, porse vetëm pasi të themelohet si një gjimnaz i cili do ta mbajë emrin “Medresa Isa Beu” e që do të financohet nga buxheti i shtetit.

Shaqir Fetai po manipulon me buxhetin që po formohet nga taksat e myslimanëve të vendit duke u bërë “reisi” më i pasur nga myslimanët më të varfër, madje edhe në botë! 

Shaqir Fetai e ka ngritur çmimin e haxhit në nivele stratosferike! Ai me atë buxhet që duhet t’i  ngelë nga ky çmim enorm duhet t’i mbajë pesë-gjashtë medrese si kjo e “Isa Beut”! Ku janë paratë e këtij zëri financiar? Kush po i vjedh? A mos po mendojnë Shaqir Fetai e hajnat e tij se bota është aq shumë e madhe sa kurrë nuk mund të takohen kontraktuesit arabë të cilët ashiqare shprehin turpin dhe habinë me lehtësinë e pashoqe të shaqiristëve për të bërë dallavere e për të vjedhur para nga haxhi, ashu edhe siç vjedhin nga kurbanët e nga taksat e detyrueshme fetare! 

Tashmë FSHI dhe Medresja janë akredituar dhe duhet të financohen nga buxheti i shtetit, ashtu siç financohen të gjitha shkollat e akredituara, që funksionojnë nën siglën “shkollat shtetërore”! Pra, e ka humbur këtë “joker” Shaqir Fetai dhe nuk mund të ftojë në grumbullimin e parave për mirëmbajtjen e këtyre dy vatrave arsimore!

Duhet ta tregojë të vërtetën: na duhen fitrat dhe zeqati për t’i marrur rrogat e majme të gjithë shaqiristët, me oreksin e të cilëve fyhet e shahet fitri, zeqati, kurbanët, haxhi, kontributet vullnetare... /LMR në BFI/