(me rastin e Fitër Bajramit, 2024)
“O bijtë e Ademit, Ne krijuam për ju petk, që ju mbulon
vendturpësinë dhe petk zbukurues. Po petku i devotshmërisë ai është më i miri.
Këto janë nga argumentet e Allahut, ashtu që ata të përkujtojnë.” (El-A’raf,
26)
Nga H. Afrim Tahiri
Të dashur besimtarë, motra e vëllezër!
Le ta falënderojmë Krijuesin tonë që edhe kësaj radhe na e
mundësoi ta përjetojmë begatinë dhe madhështinë e Muajit Ramazan, duke agjëruar
e duke u lutur natë e ditë që të na bëjë pjesë e pandashme e besimtarëve të
devotshëm.
Devotshmëria arrihet vetëm duke ikur nga e keqja dhe duke
bërë vera të mira. Në korpusoin e të keqes bijnë të gjitha ato veprime që na
bëjnë të denjë të jemi vetëm pjesëtarë të “ushtrisë së djallit”, ndërsa në
korpusin e veprave të mira përfshihen të gjitha ato vlera të cilat e stolisin
njerëzimin dhe e bëjnë që ta ndjejë Kënaqësinë e Allahut Mëshirëplotë.
Motra e vëllzër, Ramazani është moment ideal për ta
përjetuar mbajtjen e atij petku që Krijuesi ynë e ka falur për ne dhe që na e
ka urdhëruar, na e ka bërë obligim të domosdoshëm, sepse, besimtarë të dashur,
myslimanit nuk i shkon asnjë petk tjetër përveçse petku i devotshmërisë.
Pa dyshim, gjatë agjërimit dhe gjatë kryerjes së ibadeteve
shtesë që e karakterizojnë këtë muaj, myslimani ndjehet më i sigurtë, më i
mbrojtur, me i fuqishëm, më i dashur, më i dhembshëm, më paqësor e më pranë
Krijuesit Fuqiplotë. Kjo, sepse, ai është veshur me petkun e devotshmërisë, me
atë petk që do të donte ta mbajë përgjatë tërë jetës së vet. Është fare e lehtë
që të arrihet kjo! Na duhet vetëm që të bëjmë vepra të mira, me të cilat
Krijuesi ynë do të ishte i kënaqur! Në ajetin 25 të sures El-Bekare, Allahu
Mëshirëplotë thotë: “E, përgëzoji ata që besuan dhe bënë vepra të mira...”,
apo në ajetin 277 i po të njëjtës sure: “S’ka dyshim se ata që besuan dhe
bënë vepra të mira, e falën namazin dhe e dhanë zekatin, ata i pret shpërblim i
madh te Zoti i tyre...”
Pra, njeriu është krijuar dhe urdhëruar që të bëjë vetëm
vepra të mira. Vepër e mirë është edhe dashuria dhe respekti ndaj njeriut dhe
ndaj vlerave të tij, qofshin ato etnike apo fetare! Vepër e mirë është edhe
qasja humane ndaj njeriut që nuk ka, që është në nevojë, ndaj jetimit, ndaj
skamnorit, ndaj të ngratit. Ndarja e një vakti me këtë kategori njerëzish
është, pa dyshim, ndër veprat e pëlqyera te Krijuesi Mëshirëplotë. Vepër e mirë
dhe shumë njerëzore është edhe respektimi i tjetrit, i traditave të tij, i
besimit të tij! Fatkeqësisht, këtë Ramazan ka pasur funksionarë administrativë
që nuk kanë pasur dhembshuri, respekt e mirëkuptim ndaj motrave tona të
angazhuara në administratën shtetërore e publike, pa çka që në mesin e këtyre
funksionarëve ka pasur edhe shqiptarë e myslimanë. Jo vetëm që femra është
krijesë më e butë, më e brishtë, por, është e ngarkuar edhe me më shumë punë
shtëpiake e angazhime familjare. Ka pasur ankesa nga administratoret myslimane
se eprorët e tyre nuk janë treguar të mirëkuptueshëm edhe atëherë kur janë
lutur që të lëshohen më herët të përgatisin iftar për mysafirët që do t’i kenë.
Sikur ishte krijuar një traditë që administratoret myslimane të falen nga
rregullshmëria e përditshme në punë: të vijnë një-dy orë më vonë e të ikin
një-dy orë më herët! Në këtë drejtim, ky Ramazan ishte përplotë ankesa prej
administratoreve myslimane, ndërsa ndaj këtyre ankesave u treguan shurdhër dhe
injorues si pushtetarët tanë ashtu edhe Institucioni i BFI-së i cili, me gjasë,
u deh nga iftaret e përbashkëta që i organizonte me pushtetarë e drejtues
administrate, duke e harruarr misionin e vet fetar e të humanizmit.
Kur veprat e mira mund të jenë në sasi të shumta e në
përbërje të përkryera? Natyrisht, vetëm kur ato kryhen nga fuqia e unifikuar
fizike, shpirtërore e intelektuale. Kësaj radhe, ky Ramazan, na gjeti të ndarë
e të përçarë, të rreshtuar nëpër tabore e nëpër fronte! Gjithmonë taboret e
frontet janë minues e mohues! Sado që njëri tabor mundohet të bëjë vepra të
mira, tjetri do të mundohet t’ia prishë e të bëjë vepra edhe “më të mira”. Por,
vetë prishja, si koncept, i përket së keqes, së shëmtuarës, së ligës. Prandaj
edhe jemi të urdhëruar: “Dhe kapuni që të gjithë ju për litarin e Allahut, e
mos u përçani!...” (Ali Imran, 103)
Besimtarë të nderuar! Motra e vëllezër të dashur! Sot kemi
festë, festën e Fitër Bajramit! Të veshur bukur e me petkun e devotshmërisë, na
ngelë që sot të falim vetëm dashuri vëllazërore, ngrohtësi familjare, të falim
pajtueshmëri ndaj atyreve që për inate i kemi mbajtur larg neshë; sot duhet të
jemi humanë si asnjë ditë tjetër gjatë vitit, ta kujtojmë sofrën e varfër të
atyre që nuk kanë dhe ta shtrojmë plotë nisur nga ndjenjat tona humane që i
kemi e që në raste të tilla na shtohen dhe më shumë. Këtë petk të
devotsshmërisë ta ruajmë më shumë se sytë e ballit, sepse nuk është gjë që
blihet në pazar. Na takon dhe na ka hije që gjatë tërë vitit, me asnjë pasuri
të kësaj bote, mos ta ndërrojmë petkun e devotshmërisë. Të veshur kaq pastër
shpirtërisht, le të lutemi për qetësi dhe paqe në Palestinë.
Motra e vëllezër!
Për shumë vite të urojmë Gezuar Fitër Bajramin!
Zoti na e pranoftë agjërimin dhe ibadetet e kryera në këtë
Muaj të bekuar! Paqe, harmoni, dashuri e humanitet pastë në mesin tonë dhe kudo
në botë.
(Autori është drejtues i Lëvizjes Myslimane për Reforma
në BFI)