Tash e një kohë të gjatë po vlon brenda BFI-së. Heshtja e problemeve, mostransparenca dhe masat e dhunshme brenda një institucioni fetar, siç është rasti me Bashkësinë Fetare Islame (BFI) në Maqedoninë e Veriut, paraqesin një sërë rreziqesh të konsiderueshme për shoqërinë
Nga Mr.Eset Shaqiri
Që nga viti 2020, brenda Institucionit të Bashkësisë Fetare
Islame, që kur në krye u instalua nga qarqet e dyshimta Shaqir Fetai, aty
vazhdimisht po instalohen masa të dhunshme. Fatkeqësia edhe më e madhe është se
nga kjo dukuri e rrezikshme nuk po shqetësohet askush! Të gjithë ata që kanë
ftuar në ruajtjen e kushtetutshmërisë së BFI-së janë dëbuar nga puna dhe atyre
nuk u lejohet as vizitat e rëndomta në këtë Institucion; të gjithë ata që nuk
përkrahin masat e dhunshme dhe antikushtetuese të Shaqir Fetait, ose janë
linçuar, ose janë kërcënuar, ose janë shantazhuar. Kësisoj, Shaqir Fetai
dëshiron që ta përforcojë një diktaturë përmes së cilës do ta imponojë
personalitetin e vet të dyshimtë e të depersonalizuar.
Sot në BFI situata po vlon, sot në komunitetin mysliman
mbisundon një përçarje e tmerrshme, një ftohje e akullt karshi besueshmërisë
ndaj Institucionit, një anarki totale brenda hartës së deridjeshme të Mez’hebit
Hanefi në RMV, degëzime të ideologjive fetare dhe sektarizim të frikshëm të
shoqërisë sonë. Filozofia e Shaqir Fetait po dëshmohet se mbështetet në parimin
"sa më keq në komunitet aq më mirë për Fetain"!
Pa dyshim, kjo situatë sjell shumë pasoja. Një prej më të
frikshmëve është humbja e respektit si pasojë e erozionit të besimit publik.
Kur një institucion fetar, që zakonisht gëzon një respekt të lartë në shoqëri,
fsheh problemet e brendshme apo përdor masa të dhunshme në emër të
"reformave", apo shuarjes së "rrebelimit të brendshëm",
besimi i publikut në atë institucion dobësohet. I instaluari i dhunshëm, si
puna e Shaqir Fetait, gjithmonë e mohon këtë dukuri fatale duke e paraqitur
situatën e brendshme si "harmonike dhe të lumtur e të kurorëzuar me plotë
suksese". Tërë këtë veprim e bën jo nga injoranca apo hipokrizia por nga
frika se me humbjen e besimit po e humb edhe kolltukun e uzurpuar në aleancë me
elementët destruktivë në raport me interesat fetare e kombëtare të shqiptarëve
dhe, përgjithësisht, të myslimanëve të vendit.
Nxitja e konflikteve sociale është një problem tjetër që
mund të pasojë nga kjo heshtje e problemeve të shumta që kanë shpërthyer brenda
BFI-së. Mostransparenca dhe heshtja për problemet e brendshme kanë krijuar
tensione brenda komunitetit fetar dhe rrezikojnë të shpërthejnë në dhunë e në
vëllavrasje. Problemin që Shaqir Fetai e ka shkaktuar me Myftininë e Tetovës
është duke e trashur gjithnjë e më shumë. Pasojat që do të rrjedhin nga kjo
çështje, qofshin ato edhe në favor të Fetait, nuk i japin zgjidhje e as fund
dhe as nuk do të mund t'i fshehin stogjet e problemeve të rrezikshme që po
gëlojnë ditë e më shumë brenda Institucionit të kapur nga injorantët dhe
hipokritët. Pra, moszgjidhja e hapur e problemeve dhe trajtimi i tyre me dhunë,
duke e involvuar edhe policinë e shtetit, mund të çojë në përçarje dhe
polarizim edhe më të madh brenda komunitetit, duke thelluar ndasitë dhe duke
rritur rrezikun e konflikteve sociale.
Pa dyshim, tërë kjo situatë do të ushqente nxitjen e
radikalizmit dhe ekstremizmit. Kur institucionet fetare veprojnë në mënyrë
jodemokratike dhe të dhunshme, duke fshehur probleme e duke gënjyer mbi
"unitetin e brendshëm" (a e keni parë se si Shaqir Fetai pas çdo
mbledhje farsë të rijasetit të tij, parapëlqen që ta shkrepë një fotografi te
shkallët e BFI me të gjithë anëtarët e rijasetit) ato mund të trasojnë
terren për rritjen e radikalizmit dhe ekstremizmit. Individët e pakënaqur mund
të tërhiqen drejt ideologjive më ekstreme si një formë proteste kundër
padrejtësive të përceptuara brenda institucionit fetar. Si kurrë më parë sot në
RMV kemi territore të tëra, pra, jo vetëm objekte fetare, që nuk kontrollohen
nga BFI, madje as që në to mund të ndikojnë vendimet e "reisit"!
Fatkeqësisht, sot kemi edhe xhami private, kemi "objekte fetare" me
të cilat Shaqir Fetai koketon heshturazi, duke mos llogaritur fare se kjo mund
të sjellë deri te një pasojë tjetër, siç është dëmtimi i integritetit të
Institucionit të BFI-së.
Mungesa e transparencës pandyshim që po e dëmton shumë rëndë
reputacionin dhe integritetin e BFI-së dhe këtë assesi nuk po e kupton (apo,
nuk dëshiron ta kuptojë) Shaqir Fetai. Ky fakt pa dyshim që e ka dobësuar
skajshmërisht rolin e tij si "udhëheqës moral dhe shpirtëror"
në shoqëri, duke bërë që shumë besimtarë të largohen ose të mos e marrin më
seriozisht udhëzimin e tij.
Këto polarizime të shoqërisë si pasojë e veprimeve të
fshehta dhe masave të dhunshme, kanë shkaktuar, mjerisht, edhe krizën e vlerave
etike. Mjafton vetëm një vështrim mbi komentet e shoqërisë në çdo paraqitje të
Shaqir Fetait, apo mbi çdo informatë rreth BFI-së. Komentet janë të shumtë,
ofenduese, me gjuhën e sharjes dhe të urrejtjes, jo të denjë për myslimanë të
devotshëm e të disiplinuar. Veprimet jo etike të Shaqir Fetait po gjenerojnë
përgjigje jo etike edhe te komuniteti i gjërë. Aktualisht, "etikën" po
ia ruajnë vetëm do marioneta të instaluara nga masat e dhunshme të cilat Shaqir
Fetai i ndërmerr sa herë që ndjenë nevojë për ta përforcuar pozitën e vet në
kolltukun e pamerituar. Pra, përderisa BFI-ja e Shaqir Fetait vepron në mënyrë
konfliktuoze dhe joetike, gjithësesi që do të kontribuojë në një krizë të
vlerave, duke dëmtuar kodin moral që në esencë duhet ta mbështesë dhe
promovojë.
Thënë shkurt, heshtja e problemeve, përpjekja që ato të
zgjidhen me gjyqe e polici dhe jo me dialog e debate publike, si dhe
jotransparenca e BFI-së, së bashku me masat e dhunshme dhe me injorimin e
realitetit, paraqesin rreziqe të mëdha për kohezionin social, përparimin
demokratik dhe mirëqenien e përgjithshme të shoqërisë. Problemet e BFI-së
kërkojnë trajtim të hapur, të ndershëm dhe paqësor për të ruajtur besimin e
publikut dhe për të promovuar një shoqëri të shëndetshme dhe të drejtë, jo të
sektarizuar e të polarizuar.