Deri te:
Kryetarja e RMV,
Kryetari i Kuvendit të RMV
Kryeministri i RMV
Zv/Kryeministri i Parë i Qeverisë
Ministri i Drejtësisë
Drejori i Agjencisë për Marëdhënie ndërfetare dhe grupet
religjioze
Kori Diplomatik në vend
Ambasadori i OSBE-së
Partitë politike (VLEN dhe Frontit Evropian)
Institucionet akademike dhe
Mediat
Non Paper
Viti 2015 për Bashkësinë Fetare Islame (BFI) në Republikën e
Maqedonisë së Veriut shënon një kthesë të dyfishtë: a) me largimin e
ish-sekretarit gjeneral të BFI-së, H. Afrim Tahiri, fillon zbardhja e të gjitha
angazhimeve për vjedhje, korrupsion, deinstitucionalizim të jetës fetare islame
si dhe çorganizim total të institucionit dhe, b) angazhimet transparente të një
grupi relativisht të madh të teologëve të vendit nën grupimin e mirënjohur LMR
në BFI për reforma gjithëpërfshirëse të Institucionit të BFI-së. Në vend të
kësaj, me ndihmë të faktorëve jashtë BFI-së u arrit deri te detronizimi total i
BFI-së dhe u realizua një puç klasik nga elementë shumë të dyshimtë për
Institucionin dhe, përgjithësisht, për fenë islame.
Koha për reforma gjithëpërfshirëse në BFI
Pra, mund të konstatojmë se Bashkësia Fetare Islame në
Maqedoninë e Veriut ka kaluar nëpër një periudhë të vështirë që nga puçi klasik
që ndodhi në vitin 2020. Ky zhvillim ka pasur ndikim të thellë në funksionimin
dhe stabilitetin e këtij institucioni të rëndësishëm fetar. Pa dyshim, puçi u
organizua përmes ndërhyrjes politike me ç’rast erdhi deri te një krizë e thellë
e legjitimitetit të organeve të saj. Pas ngjarjeve të vitit 2020, legjitimiteti
i udhëheqjes së BFI-së është vënë në pikëpyetje. Ndërhyrjet politike kanë
thelluar mosbesimin brenda dhe jashtë komunitetit, duke krijuar një ambient të
polarizuar. Kjo situatë do të prodhojë konflikt permanent të brendshëm, me
ç’rast do të eliminohen të gjithë ata nëpunës të cilët nuk do të pajtohen me
këtë krizë. Kemi një numër largimesh të nëpunësve nga puna, kemi një sërë
procesesh gjyqësore-civile, kemi tendenca të organeve të BFI-së për shkëputje
dhe veprim të pavarur. Të gjithë këta nëpunës dhe organe zgjidhjen dhe
rikthimin e legjitimitetit të organeve të BFI-së e shihnin në zgjidhjen e
konflikteve të brendshme përmes dialogut dhe mekanizmave demokratikë. Pa
dyshim, organizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme për udhëheqësinë e
BFI-së mund të ndihmojë në rikthimin e legjitimitetit.
Artikuluese e kërkesave për reforma në BFI për këto vite
ishte Lëvizja Myslimane për Reforma në BFI të RMV-së. Kërkesa permanente ka
qenë kthimi në kushtetutshmërinë e Institucionit si dhe, së fundmi, edhe
reduktimi deri në eliminim të
ndërhyrjeve politike të subjekteve të ndryshme jofetare. Ishin të shumta
thirrjet te faktorë të ndryshëm për të siguruar që BFI të mbetet e pavarur nga
ndikimet politike, duke respektuar autonominë dhe integritetin e saj si
Institucion fetar.
Pra, fatkeqësist, puçi i 2020-ës shkaktoi ndarje të thella
brenda komunitetit mysliman në Maqedoninë e Veriut. Këto ndarje kanë dëmtuar
unitetin dhe bashkëpunimin midis anëtarëve të komunitetit dhe udhëheqjes së
tij. Tri herë radhazi janë bërë përpjekjet për ta larguar kryetarin aktual të
dhunshëm përmes puçit. Për pasojë, sot Myftinia e Tetovës është jasht
kontrollit institucional të BFI-së. Myftinia e Kumanovës, ajo e Kërçovës, ajo e
Strugës, e Shtipit, mund të veprojnë si të duan, me rëndësi është që mos t’ia
turbullojnë ujin drejtuesve ilegjitim të BFI-së!
Lëvizja Myslimane për Reforma në BFI (LMR në BFI) vlerëson
se është koha e fundit për marrjen e hapav konkretë për të riparuar
marrëdhëniet dhe për të ndërtuar unitetin brenda komunitetit. Kjo, natyrisht,
përfshin inkurajimin e dialogut të domosdoshëm dhe pajtimit të patjetërsueshëm
midis grupeve të ndryshme.
Gjithësesi, Lëvizja e sheh si të domosdoshme edhe
përfshirjen e zërit të anëtarëve të komunitetit me qëllim të kapërcimit të
përçarjes dhe degradimit të Institucionit deri në shkatërrim fatal. Pra, në
proceset vendimmarrëse është e nevojshme që të dëgjohet dhe të respektohet zëri
i të gjithë anëtarëve të komunitetit.
Pse u organizua puçi? Pati forca destruktive në vend që një
kohë të gjatë i kishin sytë në burimet financiare si dhe në vakëfin e BFI-së,
burime këto që nuk do të shterroheshin pa zhdukjen e traditës për të punuar me
transparencë. Kësisoj, u shkaktuan sfida në menaxhimin e burimeve financiare të
BFI-së, duke përfshirë edhe akuzat për keqpërdorim të fondeve.
Është jetike që BFI të vendosë mekanizma të qartë për
transparencën financiare dhe llogaridhënien. LMR vlerëson se raportimi i
rregullt dhe auditimi i pavarur mund të ndihmojnë në rindërtimin e besimit te
anëtarët e komunitetit.
Kur bëhet fjalë për këta burime, LMR insiston në
përmirësimin e situatës financiare, për ç’gjë BFI duhet të zhvillojë plane
strategjike për menaxhimin e burimeve të saj, duke siguruar që ato të përdoren
për të përmbushur nevojat e komunitetit dhe për të mbështetur projektet fetare
dhe sociale.
Ngjarjet e fundit, të pasuara edhe me largime të shumta të
nëpunësve si dhe me margjinalizime të organeve të BFI-së, kanë pasur ndikim
negativ në edukimin fetar dhe në institucionet arsimore të lidhura me BFI-në.
Fakulteti i Shkencave Islame ngeli jasht kontrollit të Rijasetit, Medreseja u
bë poligon i ushtrimit të shkeljeve kushtetuese të Institucionit si dhe qendër
e stërvitjes së gënjeshtrës “për akreditim të Medresesë” me qëllim të rritjes
së simpatisë popullore për partinë në pushtet (BDI). Në këtë drejtim, LMR e
sheh si nevojë imediate rritjen e cilësisë së edukimit fetar, duke siguruar që
mësuesit dhe teologët të kenë trajnimin dhe mbështetjen e nevojshme për të
kryer rolin e tyre në mënyrë efektive.
Zgjedhjet e fundit presidenciale dhe parlamentare (të vitit
2024) kanë dëmtuar rëndë marrëdhëniet e BFI-së me institucione të tjera fetare
dhe qeveritare. BFI-ja dhe strukturat e saj u angazhuan si me potencial
njerëzor ashtu edhe me burime financiare për ta ndihmuar një subjekt politik
dhe ish-strukturat qeveritare. Prandaj, sot, BFI i duhet urgjentisht të punojë
për të rindërtuar marrëdhëniet e saj me institucionet e tjera fetare dhe
qeveritare në Maqedoninë e Veriut, duke promovuar bashkëpunimin dhe koordinimin
për çështjet e përbashkëta, por gjithnjë duke e ruajtur integritetin e vet.
Jo vetëm puçi por, pa dyshim, edhe angazhimi i fundit në
fushata partiake, ka dëmtuar rëndë imazhin publik të BFI-së si në vend ashtu
edhe në rajon. Së këndejmi, BFI patjetër që i duhet të zhvillojë dhe zbatojë
një strategji efektive të komunikimit publik për të rifituar besimin e
komunitetit dhe për të përmirësuar imazhin e saj. Duhet të angazhohet në mënyrë
proaktive me mediat dhe shoqërinë civile për të promovuar transparencën, për të
adresuar keqkuptimet dhe për të përçuar mesazhe të vërteta dhe pozitive.
Eliminimi i problemeve aktuale në Bashkësinë Fetare Islame
në RMV kërkon një qasje të planifikuar dhe të shumanshme
Zgjidhjet prioritare duhet të përqendrohen në ndërtimin e
unitetit, rikthimin e legjitimitetit dhe forcimin e strukturave të brendshme të
institucionit.
Lëvizja Myslimane për Reforma në BFI në programin e vet ka
paraparë disa nga zgjidhjet prioritare që mund të ndihmojnë në tejkalimin e
krizës, siç janë:
- organizimi i zgjedhjeve të lira dhe të drejta!
Një nga hapat më të rëndësishëm për rikthimin e
legjitimitetit në BFI është organizimi i zgjedhjeve të lira, të drejta dhe
transparente për udhëheqësinë e institucionit dhe të organeve të saj.
- zgjedhje të mbikëqyrura nga vëzhgues të pavarur (kryesisht
nga një trup i përbërë prej teologëve më të vjetër të vendit që kanë dhënë
kontribut konstruktiv në BFI )!
Për të siguruar që procesi zgjedhor të jetë i besueshëm,
duhet të përfshihet mbikëqyrja nga vëzhgues të pavarur, përfshirë organizata
joqeveritare dhe, pse jo, edhe përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar.
- pjesëmarrja e gjerë e komunitetit!
Duhet të inkurajohet një pjesëmarrje e gjerë e anëtarëve të
komunitetit në zgjedhje, për të siguruar që udhëheqësit e rinj të kenë një
mandat të fortë dhe legjitim.
Pa dyshim, edhe
riparimi i marrëdhënieve të brendshme dhe ndërtimi i unitetit, si nëpër
organet e BFI-së ashtu edhe në xhematin tonë është nevojë emergjente. Kjo do të
thotë se, përçarja brenda BFI dhe komunitetit mysliman është një nga sfidat
kryesore që duhet të tejkalohet sa më parë, e që po zhvillohet nga drejtuesit
aktualë që erdhën përmes puçit fatal në krye të BFI-së.
Së këndejmi, dialogu dhe pajtimi i brendshëm është ndër
detyrat prioritare e drejtuesve të rinj që do të vinin pas zgjedhjeve të lira e
të drejta. Proces i pajtimit të brendshëm, që përfshin të gjitha palët e
përfshira në konflikt, duhet të jetë i udhëhequr nga figura të respektuara
brenda komunitetit dhe mund të përfshijë ndërmjetës intelektualë të profileve
të ndryshëm, nëse është e nevojshme.
Natyrisht, kjo do të ndikonte në krijimin e patjetërsueshëm
të një Platforme për diskutim të hapur, ku anëtarët e komunitetit do të mund të
shprehnin shqetësimet dhe propozimet e tyre.
E tërë kjo do të rriste transparencën dhe përgjegjësinë në
menaxhimin e burimeve. Transparenca dhe llogaridhënia janë të domosdoshme për
të rindërtuar besimin në institucion.
Në BFI duhet të ketë një pajtim të përgjithshëm edhe për një
auditim të pavarur financiar, me qëllim që anëtarësisë së gjërë t’u garantohet
që fondet janë menaxhuar me përgjegjësi dhe për të adresuar çdo keqpërdorim të
mundshëm.
Kjo nuk do të mund të arrihet pa vendosjen e një mekanizmi
të llogaridhënies. Pra, duhet të krijohen struktura të reja për llogaridhënie,
që përfshijnë raportimin e rregullt të shpenzimeve dhe projekteve, si dhe
vendosjen e komisioneve mbikëqyrëse të përbëra nga anëtarë të komunitetit.
Veç kësaj, BFI-së i duhet edhe promovimi i pavarësisë nga
ndikimet politike, ndikim ky që aktualisht po e brenë së brendshmi këtë
Institucion, deri në shkatërrim total. Pra, është një prioritet i paevitueshëm
sigurimi i pavarësisë së BFI-së nga ndërhyrjet politike, të cilat, që nga puçi
e këndej, kanë ndikuar negativisht në funksionimin e saj.
Të gjitha organet, institucionet, komisionet e BFI-së duhet
të angazhohen për adoptimin dhe publikimin e një Deklarate për Pavarësinë
Institucionale, sepse përmes kësaj Deklarate BFI qartë do të pozicionohej për
pavarësinë institucionale, duke refuzuar çdo lloj ndërhyrjeje politike në
çështjet e saj të brendshme.
Pavarësisht ruajtjes së pavarësisë, BFI duhet të angazhohet
në një dialog konstruktiv me autoritetet shtetërore për të siguruar mbështetje
në çështjet që prekin komunitetin mysliman, duke ruajtur gjithmonë autonominë e
saj.
Në Programin e vet Lëvizja Myslimane për Reforma në BFI ka
nënvizuar edhe nevojën e domosdoshme për përmirësimin e edukimit fetar dhe
rritjen e kapaciteteve të personelit, ndërsa kjo do të ndikonte në formimin e
prijësve fetarë të aftë dhe të përkushtuar.
Tiparet, politikat dhe përkushtimi i një lideri fetar për të
cilin ka nevojë aktualisht dhe përjetësisht BFI-ja
Zgjidhja e këtyre problemeve të akumuluara në BFI me tendenc
për t’u shtuar edhe më shumë, do lidership të vërtetë e të guximshëm. Pa dyshim
që një lider fetar i matur dhe i devotshëm duhet të ketë disa tipare dhe të
ndjekë disa politika që reflektojnë moralin, përgjegjësinë dhe përkushtimin
ndaj besimit dhe komunitetit.
Një lider fetar duhet të jetë me integritet moral, duhet të
jetë i drejtë, i sinqertë dhe i besueshëm. Integriteti moral është themeli mbi
të cilin ndërtohet besimi i komunitetit ndaj një lideri fetar. Një lider me
integritet moral jeton sipas mësimeve që predikon. Ai nuk bie në hipokrizi, por
përpiqet që fjalët dhe veprat e tij të jenë në harmoni të plotë me normat dhe
vlerat etike të fesë që përfaqëson. Një lider me integritet moral është një
model për t’u ndjekur. Anëtarët e komunitetit mund të shohin tek ai një
shembull të ndershmërisë, përgjegjësisë dhe sjelljes etike. Lideri fetar me një
biografi të dyshimtë e të pistë, me afinitete për t’u bazuar në gënjeshtra e në
trillime për ngritjen e “figurës së liderit”, është i rrezikshëm jo vetëm për
Komunitetin por edhe për mbarë shoqërinë.
Propozime nga Platforma e LMR në BFI për tejkalimin e
problemeve aktuale
Me qëllim për t’i tejkalar të gjitha problemet, mangësitë,
përçarjet, politikat shkatërrimtare që aktualisht mbisundojnë brenda BFI-së si
dhe, për t’i bindur faktorët relevant në vend për mbështetje dhe zgjidhje të
qëndrueshme, Lëvizja Myslimane për Reforma në BFI ka Plaformën si dhe qasjen e
mirëstrukturuar dhe gjithëpërfshirëse, e cila jo vetëm që adreson sfidat kyçe
por dhe ofron një vizion të qartë për reformën dhe stabilizimin e
institucionit.
LMR propozon krijimin e një komisioni të pavarur për të
mbikëqyrur procesin e reformës dhe për të garantuar që çdo hap të jetë
transparent dhe i drejtë.
Ky komision mund të përfshijë përfaqësues të komunitetit
mysliman, ekspertë ligjorë, figura të respektuara fetare dhe përfaqësues të
shoqërisë civile. Për të siguruar mbështetje dhe legjitimitet, është e
rëndësishme të përfshihen edhe figura me relevancë nga bota akademike dhe nga
shoqëria civile.
Komisioni duhet të ketë mandat për të mbikëqyrur organizimin
e zgjedhjeve të reja për udhëheqësinë e BFI-së, auditimin e brendshëm financiar
dhe rishikimin e Kushtetutës së BFI-së për të garantuar qëndrueshmërinë dhe
transparencën e institucionit.
Qëllimi i organizimit të zgjedhjeve të lira dhe të drejta të
mbikëqyrura nga komisionet adekuate është që të sigurohet legjitimiteti i
udhëheqësisë së re të BFI-së përmes një procesi zgjedhor të hapur dhe të
drejtë.
Gjithësesi që duhet të krijohet një Strategjie e re për
transparencë dhe llogaridhënie me qëllim të rritjes së besimit të komunitetit,
të institucioneve shtetërore si dhe faktorëve ndërkombëtarë përmes përmirësimit
të transparencës dhe llogaridhënies në BFI.
Transparenca dhe llogaridhënia nënkupton edhe auditimin e
pavarur financiar i cili do të mbështetej nga firmat ndërkombëtare të auditimit
për të siguruar objektivitetin.
Pas kësaj, pa dyshim që do të duhej edhe publikimi i
raporteve periodike. Institucionalizimi i publikimit të raporteve periodike mbi
aktivitetet dhe shpenzimet e BFI-së, të cilat do të jenë të aksesueshme për të
gjithë anëtarët e komunitetit dhe faktorët ndërkombëtarë, do të duhej të ishte
një ndër prioritetet e BFI-së.
Në Platformën e LMR-së vend të veçantë zë edhe Plani
strategjik për reformën në edukimin fetar, i cili, mbi të gjitha, ka për qëllim
përmirësimin e cilësisë së edukimit fetar në mënyrë që të formohen liderë
fetarë të përkushtuar dhe të aftë.
Bashkëpunimi me institucionet arsimore dhe akademike
ndërkombëtare islame është i domosdoshëm, sidomos për të përmirësuar cilësinë e
mësimdhënies dhe kurrikulës.
Pa dyshim, diaologu ndërfetar duhet të jetë aktivitet
permanent i BFI-së, me qëllim të forcimit të pozitës së BFI-së përmes lidhjeve
të fuqishme me organizata të tjera fetare dhe ndërkombëtare. Dialogu ndërfetar
i rregullt me përfaqësues të feve të tjera dhe organizatave ndërfetare në
rajon, duhet të promovojë tolerancën dhe bashkëjetesën.
Nuk është bashkëpunim rajonal pritja dhe përcjellja e
“faktorëve” të ndryshëm në kabinetin e reisit, apo pjesëmarrja e reisit nëpër
konferenca të ndryshme, por ky bashkëpunim duhet të nënkuptojë angazhimin për
zhvillim të marrëdhënieve me organizata simotra në rajon dhe më gjerë për të
ndarë përvojat dhe për të krijuar projekte të përbashkëta që mbështesin
stabilitetin dhe zhvillimin e komuniteteve fetare.
LMR tash e një kohë relativisht të gjatë është duke lobuar
dhe kërkuar te faktorë të ndryshëm mbështetje për zbatim të këtyre reformave të
domosdoshme në BFI.
LMR zotohet se në të ardhshmen në BFI do të jetë prakikë
standarde dërgimi i raporteve të rregullta për progresin në zbatimin e
reformave tek partnerët vendor e ndërkombëtarë për të ruajtur transparencën dhe
për të siguruar mbështetje të vazhdueshme.
Duke e pasur parasysh situatën aktuale brenda BFI-së, shumë
polarizuese, ndërhyrja ndërmjetësuese e një Trupi nga faktorët relevant të
vendit me qëllim të zgjidhjes së problemeve dhe konflikteve të brendshme do të
ishte akt më se i domosdoshëm.
Kërkimi i ndihmës nga institucionet përkatse shtetërore, nga
faktorët ndërkombëtarë me relevancë, si nga kori diplomatik, OSBE etj. është
gjest i mirëpritur nga LMR ngase këto organizata mund të ofrojnë shërbime
ndërmjetësimi dhe të ndihmojnë në zgjidhjen e konflikteve të brendshme brenda
BFI-së, duke siguruar që proceset të jenë të drejta dhe të balancuara.
Çka nëse Rijasti aktual i BFI-së refuzon unifikim dhe
stabilitet institucional
Nëse Rijaseti aktual i Bashkësisë Fetare Islame (BFI) të
Maqedonisë së Veriut nuk pranon të bashkëpunojë për të zgjidhur problemet dhe
nuk tregon vullnet për reforma, atëherë do të jenë të nevojshme disa veprime të
mëtejshme për të mbrojtur interesat e komunitetit dhe për të garantuar
funksionimin e shëndoshë të institucionit. Këtu LMR sjell disa veprime të
mundshme të parapara në Planin e vet akcional për normalizimin dhe stabilizimin
e BFI-së:
- Mobilizimi i anëtarëve të komunitetit, të cilët mund të
organizojnë peticione dhe thirrje publike për ndryshim në udhëheqje. Kjo mund
të përfshijë nënshkrimin e peticioneve për organizimin e zgjedhjeve të reja dhe
për dorëheqjen e anëtarëve të Rijasetit që nuk përmbushin përgjegjësitë e tyre.
- Organizimi i tubimeve dhe diskutimeve publike nëpër xhami
dhe komunitete për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të ushtruar presion mbi
udhëheqjen aktuale që të ndërmarrë hapa për zgjidhjen e krizës.
- Krijimi i një Trupi të përkohshëm përfaqësues që të
udhëheqë përpjekjet për reformë.
- Formimi i një Këshilli të përkohshëm nga figura të
respektuara brenda komunitetit, si dhe nga imamë të njohur që do të merrte
natyrën e një Lëvizje Imamësh, të cilët do të kishin një mandat të qartë për të
organizuar zgjedhje të reja dhe për të implementuar reformat e nevojshme.
- Ky trup i
përkohshëm mund të kontaktojë me autoritetet shtetërore dhe organizatat
ndërkombëtare për të siguruar mbështetje dhe për të legjitimuar përpjekjet e
tij.
Veprimet ligjore do të ishin një hap tjetër i LMR-së, që do
të ndërmerreshin për të sfiduar legjitimitetin e Rijasetit aktual ose për të
kërkuar llogaridhënie për veprime të dëmshme.
- Anëtarët e komunitetit, të mbështetur nga juristë të
pavarur që veprojnë në kuadër të LMR-së, mund të ngrenë padi kundër udhëheqjes
së BFI-së për të sfiduar ligjshmërinë e vendimeve të tyre ose për keqpërdorim
të mundshëm të burimeve financiare si dhe të rregullativës së BFI-së.
- Do të bëhen ankesa formale tek institucionet shtetërore të
drejtësisë dhe të qeverisjes, si Komisioni Shtetëror për Parandalimin e
Korrupsionit, për të hetuar çdo shkelje të mundshme të ligjit nga Rijaseti
aktual.
- Do të fillohet me një fushatë publike për të promovuar
nevojën për reforma në BFI dhe për të informuar publikun për problemet
ekzistuese.
- Do të nisin takimet dhe dialogjet me figura të respektuara
dhe me ndikim në komunitet.
Nëse edhe më tej nuk do të sensibilizohen drejtuesit aktual
të BFI-së, atëherë LMR në BFI do të ftojë në bojkotimin e aktiviteteve të
udhëhequra nga Rijaseti aktual dhe përdorimin e mjeteve të mosbindjes civile.
- Do të ftojë në bojkotimin e shërbimeve të udhëhequra nga
rijaseti aktual, siç janë anëtarësia dhe taksat e ndryshme fetare.
- Me mosbindja civile LMR nënkupton përfshirjen e veprime të
organizuara nga anëtarët e komunitetit për të sfiduar autoritetin e Rijasetit,
për shembull, duke organizuar shërbime alternative fetare të udhëhequra nga
imamë që janë të respektuar dhe të pranueshëm për komunitetin.
Lëvizja Myslimane për Reforma në BFI