Kush mund të jetë prijës fetar? Të shumta janë shpjegimet
fetare që flasin për profilin e duhur të një prijësi fetar. Një prijës fetar
sado i moralshëm, ai mund të jetë pa integritet moral, sepse, ai karakterizohet
nga një mori veprimesh imorale. Profili i prijësit fetar pa integritet moral
është profili më i shëmtuar dhe më i dëmshëm, madje për t’iu prirur edhe dy-tri
copave dhenësh
Nga H. Afrim Tahiri
Është kryekërkesë për një prijës fetar që duhet të jetë me
integritet moral. Veç kësaj, prijësi fetar duhet të jetë i matur dhe me
aftësinë për të marrë vendime të menduara, duke marrë parasysh pasojat dhe
interesat e komunitetit. Maturia është një tipar thelbësor që e lejon liderin
fetar të përballojë situata komplekse dhe të marrë vendime të menduara. Një
lider i matur e di që vendimet e tij mund të kenë pasoja të mëdha për
komunitetin, prandaj ai merr kohën e nevojshme për të peshuar opsionet, për të
dëgjuar këshillat dhe për të marrë vendime që janë në të mirë të përgjithshme.
Prijësi i matur nuk merr vendime përçarëse, as vendime që
gjenerojnë konflikte e derdhje gjaku. Në situatë krize ose konflikti, një lider
i matur mbetet i qetë dhe gjakftohtë. Kjo qetësi i ndihmon jo vetëm të
menaxhojë situatën me efektivitet, por edhe të qetësojë dhe udhëheqë të tjerët
drejt zgjidhjeve të drejta dhe të qëndrueshme. A mund të jetë interes i
Institucionit dhe i komunitetit vendimi për t’i larguar nga puna si dhe për t’i
margjinalizuar të gjithë ata që nuk pajtohen me politikat e liderit, me paaftësitë
e skajshme të tij për të drejtuar Institucionin si dhe me frikërat e tij nga
bashkëpunëtorët profesionistë! Prijësi fetar duhet të kuptojë se maturia
përfshin mençurinë për të përballuar situata të ndërlikuara me qetësi dhe
gjakftohtësi, dhe nuk nënkupton aftësi për të krijuar marioneta e për të
nënshtruar persona pa kurrfarë aftësishë menaxheriale.
Një prijës fetar duhet të jetë i përkushtuar ndaj shërbimit
të komunitetit, duke i vendosur nevojat e të tjerëve mbi ato personale. Kjo
përfshin ndihmën ndaj të varfërve, mbështetjen për ata në vështirësi dhe
promovimin e drejtësisë. Duhet të ketë aftësinë për të kuptuar dhe ndjerë
dhimbjet dhe nevojat e të tjerëve. Kjo e bën një prijës të jetë më i lidhur me
komunitetin dhe më i aftë për të ofruar mbështetje të vërtetë.
Prijës fetar i vërtetë nuk duhet të kërkojë lavdi për veten,
por të punojë për të ndihmuar të tjerët dhe për të çuar përpara vlerat e fesë
së tij. Duhet të jetë i drejtë dhe i paanshëm në vendimet dhe veprimet e tij.
Prijësi fetar duhet të jetë tolerant dhe të ketë respekt
ndaj diversitetit brenda dhe jasht komunitetit të tij. Ky prijës, a mund të
jetë i plotë nëse angazhohet për mirëqenie, harmoni dhe bashkëjetesë me
komunitetet e tjera, ndërsa brenda komunitetit të vet është përçarës, i
padrejtë dhe imponues?!
Drejtuesi aktual i BFI-së i instaluar në krye të saj përmes
puçit klasik, tolerancë dhe dialog ndërfetar e llogarit pajtesën për t’u
regjistruar sa më shumë “bashkësi fetare islame” dhe grupe religjioze si
frakcione të akcilës fe në institucionin përkatës shtetëror! Ky qëndrim është
jashtëzakonisht i rrezikshëm, sepse lejon dhe institucionalizon interpretime të
ndryshme mbi një çështje islame, lejon qëndrime dhe kultivime të bindjeve që
nuk çojnë askund por në përçarje, në ndasi e në konflikte brenda komunitetit.
Sot, mjerisht, si në asnjë vend në botë, në Maqedoninë e Veriut kemi xhami të
pavarura, objekte fetare jasht mbikëqyrjes së BFI-së, xhemate që nuk kanë të
bëjnë asgjë me islamin burimor që tradicionalisht është kultivuar në mesin e
myslimanëve të këtij nënqielli.
Prandaj, situata aktuale e BFI-së imponon një prijës fetar
që duhet të inkurajojë edukimin e anëtarëve të komunitetit për mësimet e fesë
dhe për vlerat etike që ato mësime sjellin; të punojë për të ndërtuar ura
bashkëpunimi dhe mirëkuptimi midis besimeve të ndryshme, bazuar në Librat
qiellor si dhe në rregullat e kodifikuara religjioze. Pra, politikat e prijësit
duhet të përqëndrohen në përhapjen e mesazheve që nxisin paqen, dashurinë dhe
unitetin dhe jo servilizëm e lojalitet prej marionete. Ai duhet të refuzojë çdo
formë të urrejtjes, dhunës ose ekstremizmit.
Ky tip i prijësit fetar patjetër që duhet të jetë modest, i
cili nuk kërkon lavdi apo pushtet, por e sheh rolin e tij si një shërbim për
komunitetin dhe Zotin. Ai i njeh kufijtë e tij dhe pranon se gjithçka që bën
është falë përkrahjes së Zotit dhe bashkëpunimit të komunitetit. Një prijës me
këtë tipar shmang arrogancën dhe krenarinë e tepërt. Ai respekton dhe vlerëson
kontributet e të tjerëve, qofshin ata edhe rivalë të tij, duke krijuar një
atmosferë bashkëpunimi dhe respekti reciprok.
Ky duhet të jetë ai prijësi fetar të cilin, sot, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, mjerisht, NUK E KANË!